Pispili me Djathë – E Thjeshtë me Shije të Mrekullueshme

5.5k 0

Shumë fantastike për t’u shijuar në çdo kohë.

Një recetë e thjeshtë, e lehtë që kërkon shumë pak kokë në përgatitje e që shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me gatime të ndryshme.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë mënyrën e lehtë të përgatitjes së pispilisë me miell misri dhe djathë.

Pispili me miell misri dhe djathë është një gatim i shijshëm që mund të konsumohet e ngrohtë kurdoherë.

Por sigurisht, ajo është një ide e shkëlqyer për të kombinuar gatime të ndryshme në çdo vakt të ditës.

Përgatitja e Pispilisë me Djathë

Përbërësit

  • 300 gr djathë i thërrmuar
  • 3 filxhanë çaji me miell misri
  • 2 filxhanë kafeje me vaj ulliri
  • 1 lugë gjalpë i freskët
  • 1 kokërr vezë
  • 2 gota qumësht
  • Kripë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të parangrohni furrën në 200 gradë celsius.

Merrni tavën apo tepsinë (mesatare) ku do përgatisni pispilinë, lyejeni me gjalpë dhe spërkateni me disa pika vaj ulliri.

Ndërkohë nisni me përgatitjen e masës së pispilisë.

Në një enë të madhe, hidhni të gjithë përbërësit bashkë, djathin e thërrmuar, miellin e misrit, vajin e ullirit, vezën e rrahur, qumështin dhe kripën.

Përzjeini të gjitha bashkë derisa masa të bëhet homogjene.

Shtrojeni masën e njëtrajtshme në tavën e lyer me gjalpë, përhapeni mirë në të gjithë sipërfaqen dhe lëreni të piqet derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë të kuqërremtë.

Para se të fikni furrën e sobës, për më shumë shije sipërfaqen e pispilisë lyejeni me pak gjalpë, lëreni për pak minuta dhe më pas fikeni furrën.

Pispilija me miell misri dhe djathë kombinohet me shumë gatime të ndryshme. Ajo mund të shoqërohet me kos apo dhallë, por mund të shoqërojë edhe supa apo gjelle të ndryshme.

Kjo recetë mund të përgatitet edhe me përbërës të tjerë në vend të djathit, me hithra, spinaq, presh, qepë të njoma, kungulleshka etj./AgroWeb.org