Pite me Pesë Përbërës – Të Preferuarat e të Gjithë Familjes

2.2k 0

Me këtë recetë ju do të përgatisni vetë pitet e buta dhe plot shije që kërkojnë vetëm pesë përbërës.

Kur themi pesë përbërës mos u trembni, pasi shumicën e tyre i keni në shtëpitë tuaja.

Janë perfekte për t’u shijuar kurdoherë si thjeshtë me djathë, po ashtu dhe të mbushura me qofte e perime.

Mjafton t’i piqni në furrë sipas udhëzimeve dhe do të mbushni shtëpinë tuaj me një aromë të papërshkrueshme.

Pitet e buta janë të preferuarat si të fëmijëve dhe të të rriturve, prandaj me një recetë do të kënaqni të gjithë pjesëtarët e familjes.

Përbërësit

  • 42gr maja e thatë
  • 1 lugë çaji me sheqer
  • 1 gotë e gjysmë me ujë të vakët
  • 500gr miell
  • 1 lugë çaji me kripë

Hapat e Përgatitjes

Në një tas të madh përzieni së bashku majanë, sheqerin dhe ujin e vakët.

AgroWeb.org ju sugjeron që këtë përzierje ta lini për 10 minuta në një vend të ngrohtë në mënyrë që majaja të aktivizohet.

Kur në sipërfaqen e tasit të jetë formuar një shkumë me ngjyrë bezhë të lehtë, kjo tregon se majaja është gati.

Në një tas tjetër, përzieni miellin dhe kripën. Shtojeni tek tasi me majanë, dhe përzjejeni me një lugë druri derisa të lidhet brumi.

AgroWeb.org ju sugjeron që të spërkatni me pak miell tavolinën dhe aty të punoni brumin derisa ai të jetë elastik dhe i lëmuar.

Një proces i tillë do t’ju kërkojë rreth 5-10 minuta.

Futeni brumin në një tas të lyer mirë me vaj ulliri, dhe mbulojeni me një pecetë kuzhine.

Lëreni brumin në një vend të ngrohtë që të vijë për një orë derisa të jetë fryrë në dyfishin e volumit.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur, largojeni brumin nga tasi dhe punojeni lehtë që t’i hiqni ajrin e tepërt.

Ndajeni brumin në 20 kuleçë të vegjël dhe jepini formë rrumbullake.

Ndërkohë merrni një tavë të sheshtë dhe shtrojeni me letër pjekjeje, dhe ndizeni furrën në 250 gradë.

Ndërkohë që furra ngrohet, hapni kulaçët në formën e piteve dhe vendosini tek tava.

Mbulojini dhe njëherë me një pecetë kuzhine dhe lërini për 30 minuta sa furra të jetë gati.

AgroWeb.org ju këshillon që tavat t’i vendosni në fund të furrës për 5-7 minuta.

Vetëm se kini kujdes që t’i ruani pasi mund të digjen shumë shpejt.

Pitet nga nxehtësia do të fryhen dhe do të marrin një ngjyrë të artë të lehtë në sipërfaqen e tyre.

Pasi të jenë pjekur largojini nga furra dhe shërbejini të ngrohta duke i shoqëruar me çfarë të dëshironi./AgroWeb.org