Presh i Pjekur në Qumësht – Receta e Stinës Plot Vlera

2.9k 0

Duke qenë se stina e tij është pikërisht tani, AgroWeb.org ju sjell një recetë plot shije.

Preshi gjen përdorim në shumë pjata si ato tradicionale por edhe tek të rejat.

Më shpesh e përgatisim si mbushjen e byrekut, ose burani me oriz.

Por ju premtojmë që dhe i kombinuar me qumështin, preshi ka një shije fantastike.

Ndiqni shkurt hapat që duhet të dini dhe provojeni këtë recetë.

Përbërësit për 4-5 persona

  • 700-800g presh
  • 200 ml qumësht
  • 2 lugë e gjysmë me miell
  • 100 ml pana
  • 250 g djathë i bardhë
  • 100 gjalpë (AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni vaj ulliri për një recetë më të shëndetshme)
  • 3 vezë
  • Kripë
  • Piper

Përgatitja

Pastroni preshin duke e qëruar dhe larë me ujë të bollshëm.

Pasi të keni hequr disa nga gjethet e trasha, priteni në rrathë më të vegjël se kur përgatisni burani apo gjellë me presh.

Vendosini në një tas me ujë të ftohtë, kështu largoni dhe papastërtitë që mund të kenë mbetur.

AgroWeb.org ju sugjeron që pasi t’i kulloni nga uji, t’i thani me një letër kuzhine.

Ndërkohë keni vendosur një tigan në zjarr ku keni shkrirë gjalpin ose ngrohur vajin e ullirit.

Skuqni lehtë preshin duke e përzierë herë pas here.

Jepini shije me kripë dhe piper të zi, por nëse dëshironi mund të përdorni edhe arrë myshku.

Sapo të jetë zbutur, AgroWeb.org ju këshillon që t’i vendosni kapak tiganit dhe ta lini preshin për dy minuta në zjarr.

Në një tas hidhni qumështin dhe përzjejeni me miellin dhe vezët.

Kur të shihni që mielli është tretur plotësisht, shtoni panën dhe djathin e thërrmuar.

Lyeni një tavë me pak gjalpë dhe aty hidhni preshin dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen e saj.

Kështu dhe do të ftohet për të mos priten vezët që keni tek salca e qumështit.

Këtë salcë hidheni mbi preshin dhe mund ta spërkatni nëse dëshironi me pak kripë.

Futeni për t’u pjekur në 200 gradë për 30-40 minuta, ose derisa qumështi të jetë mpiksur./AgroWeb.org