Pulë e Pjekur në Erëza dhe Vaj Ulliri – Shija më e Mirë e Kuzhinës

3.6k 0

Nëse ju pëlqejnë pjatat e mishit me shije dhe aromë të fortë, receta e sotme do të jetë perfektja për ju.

Mishi i butë i pulës, marinuar me erëza shumë aromatike është një pjatë që mund ta konsumoni me dëshirë në çdo vakt.

Do t’ju duhen vetëm pak minuta dhe do të keni në tavolinë gati për servirje këtë pjatë të mrekullueshme.

Ndiqni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj pjate duke ndjekur këshillat e AgroWeb.org.

Përbërësit

  • 1 pulë mesatare
  • 6 thelpinj hudhër
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 2 lugë gjelle uthull rrushi
  • 1 lugë gjelle kripë
  • 1 lugë çaji piper i zi
  • 2 degëza rozmarinë
  • 2 degëza trumzë
  • 1 tufë sherebelë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të nisni me grirjen hollë të erëzave.

Në një mikser hidhni thelpinjtë e hudhrës, të gjithë erëzat e tjera dhe filloni t’i përzieni mirë.

Më pas shtoni aty vajin e ullirit, uthullën e rrushit, kripë dhe piper të zi.

Përziejini të gjithë këta përbërës në mikser, derisa të shikoni që janë të imët dhe kanë formuar një masë kremoze salce.

Ndërkohë ndajeni pulën në pjesë të vogla dhe vendoseni të gjithën në një tavë pjekje.

Sipër saj shtoni salcën me erëza që përgatitët më parë, duke e përhapur mirë nëpër të gjithë pjesët e pulës tuaj.

Mbulojeni tavën me një letër ose kapak dhe lëreni të marinohet në frigorifer, për rreth 4 orë ose përgjatë natës.

Më pas nxirreni tavën nga frigoriferi dhe sipas dëshirës shtoni 100 ml verë të bardhë në tavë, për t’i dhënë gatimit më shumë shije.

Futeni tavën në furrë të piqet në furrë të ngrohtë për rreth 1 orë e 15 minuta, në temperaturën 180 gradë C.

Pula juaj do të jetë gati kur, pjesa e sipërme e mishit të ketë marrë ngjyrë të artë dhe të jetë pjekur mirë.

Kur të jetë gati, nxirreni nga furra dhe vendoseni në pjata të veçanta duke e spërkatur me salcën e erëzave.

Shërbejeni sipas dëshirës, shoqëruar me pjata të ndryshme orizi apo sallatërash./AgroWeb.org