Cilësohen si frutat e arta të stinës, plot lëng e shije, të freskëta me aromë magjepsëse.
Fantastike për t’i konsumuar në çdo kohë ashtu si edhe për t’i gatuar në mënyra të ndryshme plot shije.
Reçeli i pjeshkës është shumë i lehtë në gatim por edhe tepër i shijshëm saqë shumë lehtë mund të kthehet në të preferuarin e të gjithë familjes.
Amvisat shqiptare janë duararta. Ato përgatisin reçel dhe prevede frutash të pashoqe.
Reçeli i pjeshkës të cilin AgroWeb.org e rekomandon në këtë artikull është i ëmbël, përgatitet lehtë dhe ka një shije të pakrahasueshme kur shtrohet mbi një fetë bukë apo biskotë.
Stina e pjeshkëve zgjat më shumë se ajo e frutave të tjerë, ndaj jeni akoma në kohë që të përvishni mëngët dhe të gatuani reçel të cilin mund ta shfrytëzoni gjatë gjithë vitit.
Mund ta kosnumoni për një mëngjes të shijshëm dhe të shëndetshëm, mund të përgatisni ëmbëlsira të ndryshme, të shoqëroni akullore apo ta konsumoni edhe thjeshtë.
Përgatitja e Reçelit të Pjeshkës
Përbërësit
- 2 kg pjeshkë
- 1 kg sheqer
- 3 lugë çaji me lëng limoni
Udhëzimet
Lajini, qërojini dhe hiqni bërthamat e frutave. Prijini në copëza të vogla sipas preferencës.
Më pas, AgroWeb.org ju këshillon t’i vendosini të gjithë përbërësit në një enë qelqi dhe lërini të qëndrojnë për një orë.
Më pas hidhini në një tenxhere të pastër dhe vendosini në zjarr.
Lërini të zjejnë për 25 minuta deri sa frutat të jenë shkrirë dhe shpërbërë duke krijuar një masë xhelatinoze.
Përziejeni masuen vazhdimisht përmes një luge druri dhe kujdesuni të hiqni çdo gjurmë shkume të krijuar në sipërfaqe.
Më pas, hidheni reçelin në kavanozë të sterilizuar duke lënë hapësirë në sipërfaqe.
Mbyllini me kapak dhe vendosini në një tenxhere të madhe me ujë të valuar për 10 minuta.
Kavanozët e pahapur mund të ruhen në temperaturën e ambientit për një vit.
Pasi t’i keni hapur kavanozët, futini dhe ruajini në frigorifer dhe duhet t’i konsumoni brenda tre javësh./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje