Reçeli Special me Nespulla – Shija e Veçantë Natyralisht Bio

3.2k 0

Është pikërisht sezoni i tyre dhe i gjen kudo në tregjet e fshatarëve.

Në vendin tonë, Nespulla nuk është një frut që kultivohet masivisht. Pemët e këtyre frutave fantastike gjenden në oborret e shtëpive private, përgjithësisht në fshatra dhe janë tërësisht bio, pra, natyrale.

Sezoni i tyre është i shkurtër dhe zgjat kryesisht dy muaj.

Nespulla ka një shije marramendëse, që vjen e ëmbël si shija e pjeshkës dhe mangos, por edhe paksa e athët pasi nespulla bën pjesë në të njëtë familje me mollën.

Ndërsa brenda frutit gjenden 2- 3 fara të mëdha me ngjyrë kafe, të cilat janë të pangrënshme.

Nespulla është shumë e pasur me ujë, fibra, minerale, vitamina si dhe acide organike. Por një nga elementet më të rëndësishëm të saj është pektina, një nga fibrat kryesore.

Nespullat shijojnë si fruta por me to përgatitet një reçel i mrekullueshëm ashtu si edhe ëmbëlsira të ndryshme.

Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org mënyrën e veçantë të përgatitjes së reçelit me nespulla në shtëpi.

Një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit në familje por njëkohësisht edhe një gosti fantastike për miqtë e të afërmit.

Receta e Reçelit Unik me Nespulla  

  • 1.5 kg nespulla
  • 700 gr sheqer
  • Lëngu i një kokërr limoni

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni me ujë të rrjedhshëm nespullat dhe më pas ti prisni në dy apo tri pjesë.

Pastrojini nga farat dhe vendosini në tas të madh.

Hidhuni sipër lëngun e limonit dhe sheqerin dhe lërini në nxehtësi mesatare.

Gjatë përgatitjes nuk i hidhet ujë pasi nepsullat kanë lëngun e tyre.

Në momentin që nisin të ziejnë, AgroWeb.org ju udhëzon të ulni nivelin e nxehtësisë duke i lënë në zjarr të ngadaltë përreth 30 minuta.

Gjatë kësaj kohe, AgroWeb.org ju këshillon që të bëni kujdes dhe ta përzieni masën vazhdimisht në mënyrë që të mos digjen dhe derisa reçeli të lidhet dhe shurupi të trashet.

 pas hidheni reçelin në kavanoza të sterilizuar dhe mbylleni me kapakë. Kur të ftohet, reçelin futeni në frigorifer. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.