Receta e Bukës së Gjyshes – Si në Kohët e Vjetra

2.5k 0

Kur vjen puna tek buka, dashamirësit e gatimeve të shtëpisë, preferojnë ta bëjnë atë vetë në shtëpi.

Në situatën ku ndodhemi, me gjithë shqetësimet për Koronavirusin, na duhet të qëndrojmë në shtëpi dhe të kufizojmë ndjeshëm lëvizjet jashtë saj

Tani, të gjithë ne jemi gjithnjë në kërkim të recetave të reja dhe përditësimit të atyre aktuale për të sjellë në tryezë gatime sa më të mira e të shëndetshme, edhe në kushtet e karantinës.

Buka e bërë vetë e mbush shtëpinë me aromë shumë të këndshme dhe bashkon të gjithë familjen.

Në këtë recetë të AgroWeb.org do të mësoni se si të përgatisni bukën masive në shtëpi në mënyrë të shëndetshme.

Buka Masive Në Kushtet e Shtëpisë

Përbërësit:

  • 2 filxhanë e gjysmë çaji me ujë të ngrohtë
  • Çerek filxhan çaji sheqer
  • 1-2 lugë çaji kripë
  • 1 lugë gjelle maja
  • 5 filxhanë çaji miell
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja:

Për të bërë brumin, duhet që të përzieni në mikser ujin e ngrohtë, sheqerin, kripën dhe majanë.

Prisni pesë minuta deri sa majaja të bulëzojë dhe më pas nisni të shtoni miellin dalëngadalë deri sa të formohet një brumë i butë dhe i ngjitshëm.

Më pas, pastrojeni mirë banakun e kuzhinës dhe pluhuroseni me miell.

Merreni brumin dhe përpunojeni me duar deri sa e gjithë masa të jetë mjaftueshëm elastike.

Pas kësaj mbulojeni brumin me një napë të pastër dhe lëreni të vijë për 60-90 minuta.

Hapi i rradhës është yndyrosja e tepsisë ose tavës.

Më pas, shtypeni brumin pak me dorë që të çlirojë bulëzat e ajrit, hapeni dhe prijeni në dy copa të cilat duhet t’i mbështillni për t’i dhënë bukës formë.

Të dyja copat duhen lënë sërish mënjanë për 60-90 minuta.

Pas kësaj kohe, futini tepsitë në furrë dhe piqini për 30-35 minuta ose deri sa sipërfaqja e bukës të jetë e kafenjtë.

Pas heqjes nga furra, prisni të paktën 10 minuta sa buka të ftohet që ta prisni në feta. /AgroWeb.org