Receta plot aromë dhe shije të mirë e mishit me patate dhe bizele

2.3k 0

Kjo është receta perfekte për një pjatë të dytë! E thjeshtë dhe ideale për një vakt të pasur në vlera dhe të shijshëm.

Përbërësit si vera, sherebela dhe rozmarina, do t’i falin kësaj pjate një aromë të mrekullueshme dhe shije të veçantë.

Mësoni më poshtë recetën e plotë të përgatitur nga AgroWeb.org, dhe pse jo, provoni ta përgatisni edhe ju vetë në shtëpi.

Përbërësit

500 g mish viçi

500 ml lëng perimesh ose ujë

250 g bizele

3 patate

1 gotë verë e bardhë

½ qepë

Rozmarinë, sherebelë dhe kripë për shije

Vaj ulliri

Përgatitja

Zgjedhja më e mirë, që do t’i japë më shumë shije dhe vlera këtij gatimi, është lëngu i perimeve, i cili duhet përgatitur i pari.

Pasi të keni gati dhe të kujdeseni që lëngu të qëndrojë i ngrohtë, vazhdoni me kuardisjen e qepës së prerë hollë në një enë disi të thellë.

Ndërkohë lyeni me miell copëzat e prera të mishit të viçit dhe më pas skuqini së bashku me qepën.

Shtoni një gotë me verë të bardhë, hidhni patatet e prera në kubikë dhe barishtet aromatike.

Përziejini përbërësit për disa minuta dhe më pas shtoni edhe bizelet

Gatuajeni për rreth 5 minuta dhe shtoni lëngun e nxehtë të perimeve.

Lëreni masën në zjarr të ulët për një orë, të mbuluar me kapak, derisa të formohet një strukturë kremoze.

Kur të jetë gati, shërbejeni të nxehtë. /AgroWeb.org