Si të Përgatisni Petkat – Një Mrekulli nga Tradita e Amvisave Shqiptare

4.4k 1

Të shijshme,  të lehta dhe të mrekullueshme për një vakt tipik tradicional dreke dhe darke.

Petkat janë ndër zahiretë më fantastike të kuzhinës shqiptare. Të thjeshta për t’u përgatitur dhe fantastike për t’u kombinuar në mënyra të ndryshme gatimi.

 AgroWeb.org u sugjeron më poshtë përgatitjen e petkave në shtëpi si dhe dy receta fantastike të kombinimit të tyre me mishin e pulës si dhe me qepë dhe domate.

Përgatitja e Petkave në Shtëpi

Përbërësit

  • 1 kg miell
  • 5 vezë
  • 1 filxhan kafeje qumësht
  • 1 filxhan kafeje ujë
  • kripë

Përgatitja

Perzijeni vezët, ujin, qumështin, pak kripë dhe 4 filxhanë miell, punojeni derisa sa të dalë brumë i fortë.

Hidhni pak vaj ulliri në një tavë dhe më pas brumin.

Lëreni brumin për 15-20 minuta në tavë.

Lyejeni brumin me vaj ulliri.

Ndajeni brumin në copa më të vogla dhe hapni petë me anë të okllaisë.

Vendosini petët në një dhomë të ajrosur mirë për dy ditë në mënyrë që të thahen.

Kur të thahen petët pritini në copa me gjerësi 1 cm dhe lërini të thahen për dy ditë të tjera.

Pulë me Petka

Përbërësit

  • 1 pulë
  • 4 litra lëng pule
  • 500 gr petka
  • 4-5 domate të bëra
  • 2 qepë të prera hollë
  • 5-6 lugë gjelle me gjalpë ose vaj ulliri
  • kripë

Përgatitja

Zieni pulën.

Hidhni gjalpin ose vajin e ullirit dhe qepën e prerë hollë në një tigan dhe skuqini.

Shtoni domatet dhe kripën dhe ziejini për 5 minuta.

Shtoni lëngun e pulës (nëse ka më pak se 4 litra lëng atëherë hidhini ujë).

Kur të nisë të ziejë hidhni brenda petka dhe pulën e prerë në racione.

Lëreni të ziejë për 15 minuta.

Petka me domate dhe qepë

Përbërësit

  • 1.5 litra ujë
  • 250 gr petka
  • 2 domate
  • 1 qepë të prerë
  • 3-4 lugë gjelle me gjalpë ose vaj ulliri
  • kripë
  • djathë feta

Përgatitja

Kaurdisni gjalpin ose vajin e ullirit dhe qepën e prerë në një tigan dhe skuqini për disa minuta.

Shtoni domatet dhe kripën dhe lërini të ziejnë për 5 minuta.

Shtoni domatet dhe kripën dhe lërini të ziejnë për 5 minuta.

Shtoni më pas ujin. Sapo të nisë të ziejë shtoni petkat dhe trazojini.

Lërini të ziejnë për 10-15 minuta.

Shërbehet me djathë feta.

(Në vend të ujit mund të përdorni lëngun e mishit). AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.