Në doni të ëmbëlsoni veten apo më të dashurit tuaj apo në doni një gosti të veçantë për miqtë përgatisni reçel me kajsi.
Është pikërisht sezoni i tyre dhe tregjet janë plot me kajsi vendi.
Të freskëta me shije delikate ato shndërrohen në një mrekulli të ëmbël teksa përgatiten në traditën më fantastike të amvisave shqiptare, atë të reçelit.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë fantastike, krejt të lehtë të përgatitjes së reçelit me kajsi në shtëpi.
Jo vetëm që mund të ëmbëlsoni veten dhe këdo në familje me këtë ëmbëlsirë të mrekullueshme por sigurisht mund ta përdorni edhe si një dhuratë të këndshme për miqtë apo të afërmit tuaj.
Përgatitja e Reçelit me Kajsi
Përbërësit
- 1 kg kajsi
- 800 gr sheqer
- Lëngu i shtrydhur i një kokrre limoni
Përgatitja
Si fillim pastrojmë kajsitë nga bërthamat dhe i shpëlajmë me ujë të rrjedhshëm.
Më pas, i presim në dy apo tre pjesë dhe i vendosim në një kullesë në mënyrë që t’u largohet uji.
Shtrojmë një shtresë me kajsi në tenxhere, një shtresë me sheqer, e kështu me radhë derisa masat e sheqerit dhe kajsive të mbarojnë.
I lëmë të pushojnë përreth 6 orë në mënyrë që kajsitë të lëshojnë lëngun e tyre.
Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni tenxheren në zjarr të ngadaltë. Gjatë përgatitjes së reçelit së kajsive nuk duhet të hidhni ujë pasi kajsitë kanë lëngun e tyre.
Gjatë zierjes duhet të bëni kujdes që të largoni shkumën që do të krijohet në sipërfaqen e tenxheres.
Do ta zieni deri në 30 minuta apo edhe pak më shumë derisa lëngu i reçelit të trashet.
Pak para se ta heqim tenxheren nga zjarri shtojmë lëngun e limonit, e trazojmë me kujdes për pak sekonda dhe e largojmë nga zjarri.
E lëmë të ftohet dhe e vendosim në kavanoza të sterilizuar dhe i vendosim në frigorifer./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje