Si të Zini Brumin e Trahanasë në Katër Mënyra

10.6k 0

Trahanaja është një nga zahiretë tradicionale e cila përgatitet në muajt e fundit të verës për t’u konsumuar gjatë dimrit.

Një traditë e cila ka kaluar brez pas brezi dhe vazhdon të përgatitet me recetën e vjetër.

Ajo ka disa mënyra të përgatitjeje të cilat ndryshojnë sipas krahinave të Shqipërisë.

AgroWeb.org do t’ju tregoj të gjitha sekretet e përgatitjes së trahanasë në kushtet e shtëpisë, mjafton që ju të tregoni durim.

Trahana e ëmbël me qumësht

Përbërësit

  • 1 kg miell
  • 2 gota uji me qumësht
  • 1 lugë gjelle me gjalpë
  • 1 lugë gjelle me kripë

Përgatitja

Në tavolinën e pastruar filloni të sitni miellin dhe hapni një vrimë.

Aty hidhni gjalpin e shkrirë dhe të ftohur bashkë me qumështin dhe kripën.

Me një pirun përzjejeni nga jashtë brenda miellin derisa të formohet një brumë.

Më pas AgroWeb.org ju sugjeron që të filloni ta punoni me duar derisa brumi të jetë i fortë dhe i shkrifët.

Vendoseni brumin në një tas të madh dhe mbulojeni me pecetë apo qese kuzhine dhe lëreni për 2-3 ditë.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur është faza e tharjes së brumit.

AgroWeb.org ju këshillon që të shtroni një çarçaf pambuku në tavolinë dhe aty të hidhni lugë-lugë brumin e trahanasë.

Duhet ta lini të thahet duke u kujdesur që ta ktheni nga ana tjetër në momentin që brumi krijon kore të thatë.

AgroWeb.org ju tregon që pasi brumi të jetë tharë mjaftueshëm duhet të filloni ta shkoqni me duar sa të krijoni rruaza të vogla brumi.

Për hapin tjetër ju duhet ndihma e një site të imët, edhe pse gjyshet e punonin me duar.

Të gjithë brumin që përgatitët duhet ta kaloni në sitë për të përfituar trahananë e imët.

Pasi ta keni bluar në sitë ruajeni trahananë në një copë pambuku ose në një enë qelqi.

Atë duhet ta vendosni në një vend të errët, dhe ta përdorni përgjatë gjithë vitit.

Trahana me kos

Për të përgatitur këtë lloj trahanaje mjafton që në vend të qumështit të hidhni dy gota me kos dhe vetëm gjysmë luge gjelle me kripë.

Trahana me domate

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të lani dhe qëroni 6-7 domate dhe pasi t’i keni grirë në rende t’i vendosni për të zierë.

Kur të kenë zierë domatet kalojini në një sitë që të merrni vetëm lëngun. Duhet të keni përgatitur 2 gota uji me lëng domatesh. Këtë zëvendësojeni tek receta klasike si dhe mos harroni duhet vetëm gjysmë luge gjelle me kripë.

Trahana me lëng mishi

Zieni mishin me ujë dhe pasi të jetë ftohur plotësisht, kullojeni që të mos ketë kocka apo copa mishi dhe përdorni dy gota uji për përgatitjen e trahanasë.

Kini kujdes të mos i hidhni ujit kripë gjatë zierjes. Më pas kur ta bashkoni me miellin hidhni dhe gjysmë luge gjelle me kripë./AgroWeb.org