Speca dhe Qepë të Pjekura në Vaj Ulliri e Uthull – Nga Recetat më të Mira Verore

2.8k 0

Një sallatë tipike e kuzhinës shqiptare që të tundon menjëherë me shijen e saj e të ngacmon oreksin, nepsin dhe dëshirën për ta konsumuar menjëherë.

Specat e kuqe dhe ato jeshile, të pjekura me qepë e të marinuara me vaj ulliri dhe uthull janë ndër kënaqësitë fantastike që ofron tradita shqiptare.

Dikur, qindra vite më parë, ato piqeshin në prush, më tej në saç, e sot e shndërruar në një traditë të të gjitha amvisave shqiptare edhe në furrë.

Me një shije fantastike, kjo pjatë shndërrohet në shoqëruesen e shkëlyqer të supave e gjellëve të ndryshme teksa mund të shijohen edhe veçmas me pak bukë të thekur e pak djathë.

Më poshtë AgroWeb u sugjeron recetën e përgatitjes së specave të pjekur në furrë.

Speca të Pjekura dhe të Marinuara 

Përbërësit

  • Speca të kuq dhe jeshilë të mëdhenj
  • Qepë
  • Kripë
  • Piper
  • Vaj ulliri
  • Uthull
  • Majdanoz (Sipas dëshirës)

Përgatitja 

Specat pastrohen me ujë dhe më pas përmes një pecete kuzhine fshihen në mënyrë që t’u thahet uji.

Priten në dy pjesë, u hiqen farat e brendshme dhe sipas dëshirës mund të vendosen në një tavë të cilën keni shtruar më parë letër pjekjeje bashkë me qepët e prera sipas preferencës.

Futen në furrë të piqen në temperaturë maksimale për 40-50 minuta derisa të jenë zbutur plotësisht.

Më pas, nxirren nga furra dhe pasi janë ftohur pak specave u hiqet lëkura.

Për të hequr lëkurën më shpejt mund të përdorni letrën mbështjellëse të bukës, me të cilën mund të mbështillni për disa minuta specat e më pas t’u hiqni lëkurën.

Specat dhe qepët e pjekura vendosini me rradhë në një pjatancë.

Në një tas të vogël AgroWeb.org ju udhëzon të hidhni vajin e ullirit, pak uthull dhe pak majdanoz të grirë hollë.

Nëse dëshironi këtë recetë mund ta përgatisni edhe ndryshe. Mjafton të kaurdisni në një tigan specat dhe qepët me vaj ulliri, t’u hidhni gjysmë gote ujë. Më pas lërini derisa uji të avullojë dhe specat e qepët të skuqen pak. Më pas marinojini me uthull, piper e kripë.

I përzjejmë të gjitha bashkë dhe ua hedhim specave dhe qepëve duke i përzjerë sa të marinohen mirë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.