Speca të Mbushura me Oriz dhe Mish të Grirë në Tenxhere – Shije e Përkryer

5.7k 0

Ndryshe nga mënyra tradicionale e përgatitjes së specave të mbushur në tavë dhe pjekur në furrë, kjo është një mënyrë fantastike e cila përgatitet më shpejt dhe ka një shije fantastike.

Specat e mbushura me oriz dhe mish të grirë janë një alternativë fantastike për t’i shijuar në çdo kohë.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë mënyrën e përgatitjes së tyre në tenxhere pa I pjekur në furrë.

Kjo recetë shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës por edhe salcë kosi apo kos a dhallë të freskët.

Përbërësit

  • 7-8 speca mesatar për mbushje
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 2 kokrra qepë
  • 150 gr mish i grirë
  • 3 domate
  • 3 lugë gjelle salcë domate
  • Kripë
  • Piper
  • 1 filxhan e gjysmë çaji me oriz
  • Majdanoz
  • 1 gotë ujë (200 ml)

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni specat nga bishtat dhe pjesa e brendshme duke hequr farat.

Pastrojini specat dhe lërini mënjanë.

Më pas, vendosni një tenxhere në zjarr.

Shtoni vajin e ulliri dhe shtoni aty qepët e grira hollë, kaurdiseni derisa qepët të bëhen transparente.

Më pas shtoni mishin e grirë dhe vijoni t’i kaurdisni dhe shtoni aty edhe orizin.

Shtoni kripën, piperin, kaurdisini dhe më pas hiqini nga zjarri dhe lërini mënjanë.

Vendosni një tigan në zjarr, me pak vaj ulliri kaurdisni domatet e grira në kubikë shumë të vegjël.

Më pas shtoni aty salcën e domates dhe kaurdisini bashkë me domatet, shtoni edhe pak kripë.

Shtoni gjithashtu një gotë me ujë dhe lëreni për 5 minuta.

Mbushni specat një e nga një me masën e orizit me mish të grirë dhe vendosini me rradhë në tenxheren ku më parë përgatitët orizin me mishin e grirë.

Specave që keni mbushur hidhuni sipër salcën e domateve që keni në tigan.

Spërkatini me pak majdanoz të grirë hollë dhe vendoseni tenxheren në zjarr.

Lëreni të përgatiten derisa uji të shterojë dhe specat të mbeten me pak lëng./AgroWeb.org