Specat e mbushura me oriz mbeten një nga recetat më të preferuara të shqiptarëve sidomos gjatë stinës së verës kur ato gatuhen nga duart e amvisave.
Është një nga gatimet më të vjetra e të shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare. Fantastike për t’u shijuar dhe shumë të thjeshta për t’u përgatitur në shtëpi.
Ideale për një vakt të shijshëm dreke por edhe darke, specat e mbushura kombinohen në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës por edhe me zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare.
AroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tipike të përgatitjes së specave të mbushura me oriz e mish të grirë. Një mënyrë ideale për t’ia servirur gjithë familjes e më të dashurve.
Specat e Mbushura me Oriz
Përbërësit
- 5-6 speca për mbushje
- 2 kokrra mesatare qepë
- 4-5 filxhanë kafeje oriz
- 1 filxhan çaji mish i grirë
- kripë, piper
- 1 tufë majdanoz
- 2-3 kokrra mesatare domate
- Disa thelpinj hudhër
- Rigon
Përgatitja
Specat zgjidhen me tul dhe të mëdha, lahen, u pritet bishti në formë kapaku, u hiqen farat.
Kalohen në një skuqje të lehtë me vaj ulliri dhe vendosen me rradhë në tavë.
Në një enë me vaj ulliri kaurdiset qepa e grirë hollë. Pasi volumi i qepës të bjerë shtoni domatet e grira hollë dhe kaurdisini për pak minuta.
Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni mishin e grirë dhe hudhrat dhe kaurdiseni derisa masa të mbetet në yndyrën e saj.
Hidhni kripën, piperin, majdanozin, rigonin dhe ujë dhe lërini të zjejnë për 15 minuta, më pas shtoni orizin dhe lëreni të zjejë përgjysmë dhe masa të jetë e lëngshme.
Nëse preferoni në vend të majdazonit mund të përdorni edhe kopër.
Me masën e përgatitur mbushni specat me rradhë por jo plot, pasi gjatë zierjes orizi shton sasinë dhe mbushja del jashtë. Nëse u tepëron oriz nga masa e mbushjes pasi të keni mbushur specat hidhjani tavës rreth e rrotull specave.
Në fund tavës hidhini dhe pak kripë, pak lëng mishi ose ujë dhe futeni të piqet në furrë të parangrohur./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje