Spinaq me Gjizë – Tri Mënyra Plot Shije si ta Kombinoni në Gatime

3.8k 0

Spinaqi është fantastik në vlerat që ofron ashtu si edhe në shijen që u jep gatimeve të ndryshme.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë përgatitjen e spinaqit me gjizë dhe qepë të njoma si dhe disa mënyra fantastike se si mund ta kombinoni këtë recetë edhe në gatime të ndryshme shtëpie.

Ky gatim jo vetëm që është i shëndetshëm por ka edhe shije të përsosur, e cila padyshim vlen të provohet.

Përgatitja e Spinaqit dhe Gjizë dhe Kombinimet në Gatime të Ndryshme

Përbërësit

  • 500 gr spinaq i freskët
  • 300 gr gjizë e freskët
  • 2-3 qepë të njoma
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Nenexhik i freskët (dhjosmë ose mëndërz)

Përgatitja

 Si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të lani me ujë të rrjedhshëm disa herë spinaqin derisa ai të pastrohet tërësisht.

Më pas, gjethet e tij ndajini në tufëza dhe këputini dy tre herë me dorë dhe shtypini përmes duarve.

Vendosni një tigan në zjarr, shtoni aty vajin e ullirit dhe qepët e njoma të grira shumë hollë.

Kaurdisini për pak derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas, shtoni aty spinaqin e shtypur dhe të copëtuar.

Kaurdiseni derisa lëngu i tij të avullojë por jo plotësisht.

Vijoni duke shtuar gjizën dhe kripën dhe kaurdisini të gjitha bashkë për 2-3 minuta dhe është gati.

Në fund shtojini nenexhikun e grirë hollë.

Kombinimet

Spinaqi me gjizë është një gatim që mund të kombinohet në mënyrë të shkëlqyer në receta të ndryshme gatimi.

Por me këtë recetë mund të përgatiten makarona të shijshme ku spinaqi me gjizën përdoren në formën e salcës e cila përzihet pasi keni zierë makaronat.

Një ide tjetër fantastike është edhe përgatitja e piteve të mbushura me spinaq e gjizë ashtu si edhe edhe byrekut të shtëpisë.

Gjithashtu, spinaqi me gjizën janë fantastik në shoqërimin e mishit të pulës së pjekur duke sjellë një shije edhe më të veçantë. /AgroWeb.org