Sultiash me Kanellë dhe Arra – Tradita e Ëmbël

5.3k 3

Sultiashi është një ëmbëlsirë tipike e kuzhinës tradicionale shqiptare. Një recetë e trashëguar brez pas brezi nga amvisat shqiptare.

Një ëmbëlsirë e lehtë, e shijshme dhe fantastike për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës.

Kjo recetë e ëmbël nuk është vetëm e thjeshtë në përgatitje por mbi të gjitha është krejt e shëndetshme.

Përbërësit bazë të kësaj recete të shkëlqyer për të ëmbëlsuar shpirtin, oreksin dhe nepsin gjithashtu janë orizi dhe qumështi, të pasur dhe fibra dhe kalçium.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tipike të kuzhinës tradicionale në përgatitjen e sultiashit krejt lehtë në shtëpi për të ëmbëlsuar më të dashurit tuaj apo edhe të afërmit.

Përgatitja e Sultiashit në Shtëpi 

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • ½ filxhan çaji me oriz
  • Një filxhan çaji sheqer
  • Dy filxhanë çaji qumësht
  • Një lugë gjelle niseshte
  • Kanellë
  • Arra të thërrmuara  

Përgatitja

Si fillim pastrojmë orizin në një enë me ujë të bollshëm.

Më pas, e kullojmë nga uji dhe e hedhim në një tenxhere me ujë.

E vendosim në zjarr dhe e lëmë derisa të nisë të vlojë.

Sapo të ketë marrë një valë, në këtë moment i hedhim qumështin, i cili më parë duhet të jetë i valuar. E trazojmë përmes një luge druri pa ndërprerje në mënyrë që të mos ngjitet.

E zjejmë të zjarr të ngadaltë derisa orizi të bëhet gati, pastaj hidhet sheqeri dhe trazohet që të shkrijë.

Në fund, shtojmë niseshtenë, të cilën më parë e kemi tretur në pak ujë të ftohtë.

Pasi e gjithë masa të ketë marrë një valë e heqim nga zjarri dhe e ndajmë nëpër kupa ose pjata.

Kur të jetë ftohur i hedhim sipër kanellë pluhur dhe arra të shtypura.

Sipas dëshirës, për më shumë shije, para se ta servirim përveç arrave dhe kanellës mund të shtojmë edhe biskota të thërrmuara, çokollatë të thërmuarr apo një ose dy lugë të vogla reçel qershie./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.