Supa e Krushqve – Receta më e Përkryer që Sjell Shijen në Tryezë

6.8k 0

Cilësohet si supa e krushqve sepse në shumë rajone të vendeve të lindjes, nga kjo recetë ka edhe origjinën përgatitet si ndër ndër gatimet më speciale për të mikpritur të afërmit e nuses apo dhëndrrit.

Por krahas kësaj, kjo recetë është fantastike dhe mund të përgatitet në çdo kohë në familje edhe kur shtëpinë nuk e vizitojnë miq e mysafirë.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën fantastike, e cila edhe pse me përbërës të thjeshtë, falë mënyrës së përgatitjes merr një shije me të vërtetë të përkryer.

Përgatitja e Supës së Krushqve

Përbërësit

 (Përbërësit përzgjidhen bazuar tek numri i personave për të cilët do gatuani, përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 4-5 thela të plota mish qengji të freskët
  • 2-3 karrota
  • 2-3 patate
  • 1 presh (pjesa e bardhë)
  • E verdha e një kokërr veze
  • Lëngu i një kokërr limoni
  • Piper i zi
  • Majdanoz i freskët
  • Dy lugë gjelle vaj ulliri
  • Një lugë gjelle gjalpë i freskët

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org, ju udhëzon të vendosni mishin në një tenxhere me ujë me kripë dhe lëreni të ziejë derisa mishit të zbutet pak por jo plotësisht.

Më pas, thelat e mishit vendosini në një tavë të vogël hidhuni një gotë e pak nga lëngu ku kanë zierë, hidhuni përsipër gjalpë dhe futini në furrë të piqen.

Hërë pas herë mishin spërkateni me lëngun e vet që të mos thahet.

Hiqeni nga furra sapo të zbutet plotësisht dhe mos lini që i gjithë lëngu në tavë të thahet apo të avullojë.

Ndërkohë, në një tigan skuqni me vaj ulliri dhe pak gjalpë preshin e grirë hollë, më pas patatet dhe karrotat e prera në kubikë të vegjël.

Kaurdisini për 2-3 minuta, dhe kalojini në tenxheren ku keni lëngun e mishit dhe lërini të ziejnë derisa të zbuten plotësisht.

Nëse e shihni se duhet më shumë ujë atëherë shtoni pak më tepër.

Provojini për kripë nëse kanë sa duhet dhe kur të zbuten tërësisht hiqini nga zjarri.

Shtypini pakëz me lugë druri por jo plotësisht.

Në një tas të vogël, shtoni gjysmën e lëngut të limonit (gjysmën tjetër të lëngut të limonit mbajeni mënjanë) dhe të verdhën e vezës.

Rrihini të dyja bashkë derisa të njëtrajtësohen. Shtoni disa lugë nga lëngu i supës që keni në tenxhere dhe vijoni t’i përzjeni.

Në këtë mënyrë do evitoni që veza të pritet në momentin që do shtohet tek supa.

Shtoni të verdhën e vezës me lëngun e limonit tek supa dhe përzjeheni për mirë për disa minuta derisa masa të njëtrajtësohet.

Ndërkohë, kur mishi të jetë gati, pra i pjekur, ndajeni në fije-fije dhe shtojeni tek supa.

Vendoseni sërish supën në zjarr dhe përzjeheni për disa minuta dhe më pas largojeni nga zjarri.

Në tavën që keni pjekur mishin, tek lëngu që ka mbetur shtoni gjysmën e lëngut të limonit që latë mënjanë dhe me lëngun e përftuar spërkasni sipër supën kur ta servirni bashkë me disa gjethe majdanozi të grirë hollë./AgroWeb.org