Zupa të Shijshme me Shegë – Receta me Ëmbëlsi të Lehtë

1.9k 0

Ndryshe nga zupa tradicionale kjo është një recetë ndryshe, krejt e veçantë në shije dhe me një ëmbëlsi shumë të lehtë.

Kjo recetë kërkon kujdesin dhe mjeshtërinë e amvisave për t’u përgatitur, por në fund shija e saj do t’ju mrekullojë tërësinë me ëmbëlsinë e saj të lehtë.

Përbërësit për 5 racione

Për kremin e qumështit

  • 300 ml pana
  • 125 ml qumësht
  • 70 g të bardha vezësh (afërsisht dy)
  • 70 g sheqer
  • ½ e pakos me vanilie
  • Një majë luge kafeje me kripë

Për kremin e shegës

  • 2 filxhanë çaji me kokrra shege
  • 2 filxhan kafeje ujë
  • 2 lugë gjelle me nisheshte misri
  • 2-3 lugë gjelle sheqer
  • 2 lugë çaji gjalpë të freskët

Përgatitja e kremit të qumështit

Në një tenxhere hidhni qumështin dhe panën dhe vendoseni në zjarr mesatar.

Më pas shtoni vaniljen dhe me telin e kuzhinës rrihini, në mënyrë që vanilja të tretet me qumështin dhe panën.

Shtoni sheqerin dhe kripën, masa duhet të qëndrojë në zjarr derisa të fillojë të zjejë.

AgroWeb.org ju këshillon që ta përzjeni herë pas here që të siguroheni që kokrrizat e sheqerit të jenë shkrirë plotësisht.

Më pas hiqeni nga zjarri dhe lëreni që të ftohet, duhet të afrohet me temperaturën e ambjentit.

Në këtë pikë duhet të shtoni të bardhat e dy vezëve, kini kujdes që masën ta përzjeni gjatë gjithë kohës.

Duhet të siguroheni që të bardhat e vezëve të jenë bashkuara plotësisht me përbërësit e tjerë.

Këtë masë ndaheni në pesë tasa të vegjël alumini me ndihmën e një site apo kulloreje të vogël, që të shmangni kokrrizat e patretura.

Përgatitja e kremit të shegës

Vendosni kokrrat e shegës në mikser, shtoni dhe filxhanin e kafesë me ujë. Kalojini në mikser derisa masa të bëhet tërësisht e lëngshme dhe kokrrat të treten plotësisht.

Bashkoni sheqerin dhe niseshtenë në një tas.

Ndërkohë masën e shegës që keni kaluar në mikser vendoseni në një kulloëre duke shtypur përmes një luge masën në mënyrë që të kullojë lëngu dhe farat të mbeten në sitë.

Pasi të keni filturuar lëngun e shegës, shtojeni tek tasi ku keni sheqerin dhe niseshtenë dhe përzieheni mirë derisa masa të njëtrajtësohet.

Hidheni këtë masë në një tenxhere të vogël, vendoseni në zjarr dhe trazojeni derisa masa të bëhet xhelatinoze.

Kur masa të nisë të trashet shtoni gjalpin vijoni të përzieni pa ndërprerje derisa të krijohet një masë kremoze.

Përgatitja e Zupës

Merrni pesë tasa, vendosini në një tavë mesatare dhe shtoni ujë të nxehtë derisa të keni mbuluar ¾ e tasave.

Në çdo tas hidhni si fillim nga pak nga kremi i shegës duke e shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë tasat.

Më pas, mbushini tasat me kremin e qumështit dhe piqeni në banjomari për 65 minuta me 160 gradë Celsius.

Zupa duhet të jenë mpiksur totalisht dhe të ketë marrë një faqe afërsisht të artë në sipërfaqe.

Pasi të jenë pjekur, nxirrini nga furra dhe lërini në tavë derisa të jetë ftohur uji.

Më pas vendosini në frigorifer përreth dy orë.

Kur t’i shërbeni, nxirrini nga frigoriferi dhe me ndihmën e një thike të lagur me ujë të ngrohtë, ndajeni nga buzët e tasit.

Kthejeni në një pjatë njësoj siç veprohet me krem karamelin.

Sipër mund t’i shtoni disa kokrra të freskëta shege.

Kjo ëmbëlsirë mund të ruhet deri në dy ditë në frigorifer nëse është e mbuluar mirë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.