Borzilok në Vaj Ulliri – Freskia Mesdhetare e Shëndetit

2.5k 0

Ky vaj është shumë i shijshëm edhe për të lyer bukën e sapo dalë nga furra, një kombinim i spikatur në kuzhinën shqiptare.

Vaji me aromë borziloku nuk duhet të mungojë në kuzhinën tuaj. Ky vaj do t’i japë shije, aromë dhe gjallëri sallatave, marinimeve dhe salcave që do të gatuani.

Ky vaj është shumë i shijshëm edhe për të lyer bukën e sapo dalë nga furra, një kombinim i spikatur në kuzhinën shqiptare dhe atë mesdhetare.

Vaji me aromë borziloku përgatitet në dy mënyra. AgroWeb.org do t’ju tregojë metodën më të thjeshtë.

Metoda e nxehtë kërkon një nxehtësi të ulët për tretjen e barishteve, ndërkohë që metoda e ftohtë ka nevojë për kohë dhe ndriçim të mjaftueshëm.

Të dyja këto metoda janë efikase, por metoda e nxehtë përshpejton shkrirjen e aromave.

Metoda e ftohtë:

Përbërësit:

• 85-170 gramë gjethe borziloku.
• 2 filxhanë me vaj ulliri ekstra të virgjër.

Përgatitja:

1. Mblidhini gjethet e freskëta të borzilokut, lajini dhe thajini me kujdes. Përdorni letër kuzhine për tharjen e gjetheve.

2. Vendosini gjethet në një enë dhe shtypini lehtë me një lugë druri. Ky proces do të çlirojë aromën e këndshme të borzilokut.

3. Hidhni një filxhan me vaj ulliri mbi gjethet e borzilokut.

4. Përzijini së bashku dhe vazhdoni të shtypni gjethet me lugë druri për të nxjerrë prej tyre vajin esencial.

5. Shtoni pjesën e mbetur të vajit të ullirit dhe përzijini mirë së bashku.

6. Borzilokun dhe vajin hidhini në një kavanoz qelqi dhe mbylleni mirë.

7. Vendoseni kavanozin në një parvaz dritareje për 2 javë. Çdo ditë tundeni kavanozin që aromat të përzihen më mirë.

8. Më pas kullojeni vajin në një napë me dy shtresa. Lëngun e kulluar mund ta hidhni në një enë dekorative ose sipas preferencës.

9. Shtoni disa gjethe të freskëta borziloku për zbukurim ndërkohë që kavanozit mund t’i vendosni edhe një etiketë sipas dëshirës.

Kavanozin mbajeni larg diellit dhe vendoseni në një vend të errët në dollapin e kuzhinës.

Vajrat kanë tendencën të prishen nëse qëndrojnë në diell për shumë kohë.

Vajra të tillë aromatikë kanë një jetëgjatësi gjashtë mujore.

Metoda e nxehtë:

• 85-170 gramë gjethe borziloku
• 2 filxhanë me vaj ulliri ekstra të virgjër.

Metoda:

1. Lajini dhe thajini me kujdes gjethet që mes tyre të mos ngelet lagështira.

2. Hidhni gjethet me kërcenj të fortë, ato të dëmtuara dhe pa ngjyrë.

3. Pritini gjethet sa të mbushin gjysmën e një filxhani. Sasia e përdorur është gjithnjë në varësi të aromës dhe shijes që kërkoni.

4. Më pas hidhini në një enë dhe shtypini me lugë druri.

5. Hidhni një filxhan me vaj ulliiri në një tenxhere dhe ngroheni. Mos e lejoni vajin të nxehet më tepër.

6. Vajin e ngrohtë hidheni mbi gjethet e borzilokut dhe përzijini së bashku me një lugë druri.

7. Më pas shtoni vajin e mbetur me temperaturë ambjenti.

8. Pasi e gjithë masa të jetë ftohur, hidheni në një kavanoz me grykë të gjërë dhe mbylleni kapakun fort.

9. Vendoseni kavanozin në një parvaz dritareje dhe mbajeni aty për 2 javë. Çdo ditë tundeni kavanozin që aromat të përzihen mirë.

10. Hidhni lëngun ngadalë dhe nga pak në një shishe qelqi duke përdorur një hinkë dhe napë për ta kulluar. Mbylleni shishen fort.

11. Nëse dëshironi, në shishe mund të hidhni disa gjethe të freskëta dhe vendosni një etiketë ku të shënonin edhe datën e përgatitjes.

Përdorimet:

Vajrat aromatikë mund të përdoren në çdo recetë që kërkon vaj, duke nisur nga mishi, shpendët, peshku, salcat e marinimit, salcat apo sallata.

Këto vajra mund të ruhen në një vend të errët deri në 6 muaj./AgroWeb.org