Fërgesë e Lehtë e Stinës – Shije dhe Shëndet i Mirë

2k 0

Në ka një pjatë shqiptare që të hap menjëherë oreksin dhe nepsin për ta shijuar, ajo është fërgesa, një traditë e hershme e kuzhinës shqiptare.

Traditë e Shqipërisë së Mesme kryesisht, por e gatuar me mjeshtëri nga amvisat në të gjitha trevat shqiptare, fërgesa mbetet një nga recetat më të shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare.

Fantastike për të shoqëruar vaktet e drekave apo darkave, në ditë festash, gëzimesh familjare apo edhe ditë të zakonshme, fërgesa i shton shije çdo gatim sidomos atyre tradicionalë shqiptare.

Kjo recetë mund të kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, supa dhe byrekë të ndryshëm, sallata të stinës etj

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së fërgesës shqiptare krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Fërgesës Tradicionale  

(Përbërësit më poshtë për 4-5 persona)

Përbërësit 

  • 4  kokrra domate
  • 4-5 speca te gjelbër
  • 3 thelpinj hudhër
  • Kripë
  • Piper
  • Vaj ulliri
  • 6 lugë gjizë
  • Spec djegës

Përgatitja 

Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm domatet dhe specat.

Specat i presim në rrathë të hollë ose në shirita.

Vendosim një tigan të madh në zjarr. Më pas AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni në të vajin e ullirit dhe specat.

Shtoni hudhrat e grira ose të shtypura dhe lërini bashkë të skuqen për pak duke i kaurdisur.

Domatet i grijmë në rende për t’i bërë si pure ose i kalojmë në mikser.

Purenë e domateve e shtojmë tek tigani ku kemi specat.

Hedhim kripë dhe i lëmë të zjejnë derisa salca të jetë bërë e trashë dhe vaji ullirit të dalë në sipërfaqe.

Në këtë moment , fërgesën e heqim nga zjarri, i shtojmë gjizën e kavërdisim për 2 apo 3 minuta.

Më pas shtojmë piperin djegës e kaurdisim, e heqim nga zjarri dhe fërgesa është gati për t’u servirur./AgroWeb.org