Jahni me Thjerrëza – Shije e Shëndet nga Duart e Amvisave

1.7k 0

Jahnia me thjerrza përbën një vakt të shijshëm e të shëndetshëm për këdo që e konsumon, jo vetëm për vlerat ushqyese që ka por edhe për efektet mbrojtëse që i dhuron organizmit kundër të ftohtit dhe virozave gripale të stinës.

E ngrohtë, e shijshme dhe pak pikante nëse dëshironi kjo është një pjatë fantastike, e cila falë ushqyesve që ka plotëson në mënyrë perfekte normën ditore të organizmit për fibra, hekur dhe proteina.

Thjerrëzat janë një burim i shëndetshëm karbohidratesh, një ushqyes makro të cilin organizmi e transformon në glukozë dhe më pas në energji.

Më poshtë AgroWeb.ogr u sugjeron dy mënyra të përgatitjes së thjerrëzave si jahni por edhe si supë.

Përgatitja e Thjerrëzave Jahni në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)  

  • 2 filxhanë çaji me thjerrëza
  • 1 filxhan kafeje me vaj ulliri
  • 1 lugë kafe miell
  • Rigon
  • Spec djegës
  • 2-3 thelpinj hudhra
  • Uthull sipas dëshirës

Përgatitja

Thjerrëzat pastrohen, lahen dhe vendosen të zjejnë.

Në një enë me lyrë, mundësisht me vaj ulliri, kaurdiset pak miell, shtohet spec, rigon, hudhra të shtypura dhe uthull.

Salca e përgatitur u hidhet thjerrëzave.

Kjo është një nga mënyrat e thjerrëzave. Por mund t’i përgatisni edhe ndryshe.

Vihen në zjarr me qepë, karrota të prera në kubikë të vegjël, pak vaj uliri dhe në fund u hidhet pjesa tjetër e vajit të ullirit dhe majdanoz i grirë hollë.

Hudhra hidhen sipas dëshirës. Për ta trashur pak lëngun mund të hidhet edhe një kokërr patate e cila, pasi zjen shtypet.

Vlerat Shëndetësore

Supa me thjerrëza është një burim i mirë proteinash dhe fibre. Çdo racion i kësaj supe përmban 11.1 gramë fibër që plotëson një pjesë të rëndësishme të dozës prej 25-38 gramë të fibrës që duhet të konsumoni çdo ditë.

Fibra i bën mirë sistemit tretës dhe zorrëve, duke parandaluar diarenë, konstipacionin dhe sëmundje të tjera të aparatit tretës.

Një racion me supë me thjerrëza plotëson pothuaj të gjithë nevojën tuaj ditore për hekur.

Në mesin e ekspertëve të mjekësisë popullore besohet se ushqimet pikante mund të luftojnë të ftohtit, ky është edhe rasti i supës apo jahnisë me thjerrëza.

Efektet mirëbërëse të ushqimeve pikante arrijnë të çlirojnë rrugët e frymëmarrjes nga sekrecionet.

Alicina që gjendet tek hudhra, një nga përbërësit e kësaj supe, është shumë e dobishme kundër të ftohtit dhe gripit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.