Komposto Thane, Shija e Ëmbël me Vlera Shëruese

3.9k 0

Thanat e vogla, të kuqe e plot vlera janë të kudo gjendura në Shqipëri.

Thanat janë ndër frutat më të dashura të verës, jo vetëm për shijen e tyre të veçantë por edhe për përdorimet e shumta të tyre në mjekësinë popullore.

Në Shqipëri, amvisat shqiptare falë mjeshtërisë tyre të gatimit, të trashëguar ndër breza përdorin disa receta shumë të shijshme me bazë frutat e thanës. Është e famshme receta shqiptare e prevedesë së thanës apo shurupi i thanës.

Gjithashtu, thanat përdoren për të përgatitur edhe reçel. Por ato mund të kombinohen me sheqer dhe portokall për të bërë një salcë të mrekullueshme, si ajo e boronicës së kuqe. Thanat mund të konsumohen edhe në formën e tyre të thatë.

Në Shqipëri përdoren për përgatitjen e rakisë së famshme të thanës. Por thana ka përdorim të gjërë edhe në përgatitjen e pijeve të ftohta gjatë stinës së verës.

Por mjeshtëria e amvisave shqiptare në përdorimin e thanës nuk ndalet me kaq. Kompostot shumë të shijshme, të përdorura për vlerat e tyre shëruese janë pjesë e recetave që nisin përgatitjen e tyre në verë për t’u përdorur më pas gjatë dimrit, vjeshtës dhe pranverës.

Fruti i thanës është përdorur për të ulur temperaturën dhe për të luftuar disa çrregullime të zorrëve. Thartësia karakteristike e këtij fruti e bën atë mjaft të dobishëm në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare.

Thanat janë përdorur edhe për t’u kuruar nga diarea. Thanat mund t’i ruani në frigorifer për disa ditë, për sa kohë i paketoni në një qese të izoluar mirë. Ato jetojnë më gjatë në formën e tyre të thatë.

AgroWeb.org sjell sot recetën e amvisave shqiptare në përgatitjen e Kompostos së Thanës.

Përgatitja e Kompostos së Thanës

Përbërësit
1 kg thana të pjekura mirë
½ kg sheqer
1 litër ujë

Procesi i Përgatitjes

Pasi i lajmë dhe i kullojmë mirë duke i kaluar për tharje në një pecetë të pastër, thanat i vendosim në kavanozë, të cilët më parë i kemi sterilizuar.

Përgatisim shurupin me ujë dhe sheqer, duke e zjerë në zjarr. E lëmë shurupin të ftohet dhe e hedhim mbi thana.

Më pas, mbyllim fort kavanozët dhe i vendosim në tenxhere me ujë duke i lënë të zjejnë për 15-20 minuta. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.