Omletë e Mbushur me Perime të Stinës për Shije dhe Shëndet

1.4k 0

Omleta është një ndër recetat më të hershme jo vetëm të kuzhinës shqiptare por gjithë kuzhinës botërore.

Një ushqim i shijshëm por mbi të gjitha i pasur me vlera ushqyese, me përbërës kryesor vezët, omleta vijon të mbetet simboli i një mëngjesi të shëndetshëm.

Omleta përgatitet shumë lehtë dhe kërkon pak kohë ndërkohë që është e pasur me vlera të shëndetshme.

Ajo përgatitet e kombinuar në mënyra të ndryshme, me djathë të bardhë a kaçkavall e erëza, proshuta të ndryshme e salsiçe etj.

Por mund të kombinoni edhe të gjitha perimet që u gjenden në shtëpi, domate, patate, karrota, kunguj, lulelakër, brokoli etj.

Sa më shumë përbërës të hidhni, aq më shumë e shijshme dhe e shëndetshme do të bëhet omleta.

Më poshtë, AgroWeb.org u sugjeron një recetë të shëndetshme të përgatitjes së omletës së mbushur me kërpudha, djathë, ptoshutë, perime e barishte të stinës krejt lehtë në shtëpi për të nisur ditën mbarë bashkë me familjen.

Megjithatë, perimet mund t’i shtoni sipas preferencës suaj.

Përbërësit

(Për dy persona)

  • Treçerek filxhan çaji me domate të freskëta të prera në copa të vogla
  • 2 kërpudha të prera në feta (nëse preferoni t’i shtoni)
  • 3 vezë
  • 1 lugë gjelle me qepë të grirë hollë,
  • 2 lugë gjelle me speca jeshilë të prerë hollë
  • Treçerek filxhan çaji me qumësht,
  • 2 lugë çaji majdanoz të grirë hollë,
  • 4 gjethe spinaq të freskët
  • 2 feta djathë,
  • 2 feta proshutë
  • 1 filxhan çaji me djathë të grirë

Përgatitja 

Vendosni tiganin (që nuk ngjit) në zjarr dhe hidhni vaj, gjalpë ose vaj ulliri sipas preferencës tuaj.

Kaurdisni specat e më pas hidhni qepët deri sa të zbuten.

Më pas shtoni kërpudhat, copat e proshutës, dhe kur të jenë kaurdisur, shtoni copat e prera të domateve.

Kur të kenë arritur butësinë e duhur, zbrazeni tiganin dhe hidhini ato në një pjatë të vogël.

Vendoseni sërish tiganin në zjarr.

Në një enë qelqi, përzieni vezët, qumështin, majdanozin, kripën e piperin.

Kur tigani të jetë nxehur mjaftueshëm, hidhini përbërësit që të skuqen.

Kur veza të jetë mpiksur mjaftueshëm shtoni spinaqin,  fetat e djathit dhe fërgesën me domate e kërpudha.

Paloseni omletën dhe  lëreni të rrijë për pak minuta përpara servirjes.

Omletën mund ta shoqëroni me bukë të thekur thekre dhe me kos fshati duke i ofruar vetes kështu një mëngjes siç thotë populli “me të gjithë të mirat e botës.”/AgroWeb.org