Djathi i bardhë është një djathë i veçantë dhe shumë i preferuar në vendin tonë, por jo vetëm.
Ky djathë prodhohet nga qumështi i deleve ose nga përzierja e qumështit të deles me atë të dhisë, apo edhe i lopës.
Ai është i butë aq sa duhet, i bardhë si bora dhe shumë i pasur në kalcium.
Si Të Zgjidhni Djathin Më Të Mirë
Ekspertët e AgroWeb.org kanë listuar rregullat e arta të përzgjedhjes së djathit të bardhë më të mirë në treg.
Rregulli 1
Lexoni përbërësit dhe sigurohuni që djathi të përmbajë qumësht dele, dhie ose lope.
Për më tepër, rregulli i artë është që 30% e qumështit të përdorur për prodhimin e djathit të jetë i dhisë.
Rregulli 2
Nëse keni mundësi që të provoni djathin e bardhë, atëherë mos hezitoni.
Djathi shitet i fortë, i butë dhe me një fortësi mesatare.
Aromat e tij janë të ndryshme, në disa raste djathi është i kripur e në disa raste me arra, boronica apo spec djegës.
Rregulli 3
Djathi duhet të jetë gjithmonë i bardhë.
Nëse ai ka nuancë të verdhë, do të thotë që është ekspozuar shumë në ajër dhe nuk është ruajtur në shëllirë.
Rregulli 4
Shija e djathit është shumë specifike, e ndezur dhe e pasur.
Djathi nuk duhet të ketë shije të athët, të hidhur, të mbytyr, të vjetër apo të jetë pa shije fare.
Kijeni këtë parasysh përpara se ta blini.
Rregulli 5
Ekspertët e AgroWeb.org thonë se një kallëp djathë i bardhë duhet të ketë patjetër vrima të vockla në sipërfaqe.
Arsyet Përse Duhet Të Hani Më Shumë Djathë Të Bardhë
Ekspertët e regjimeve më të mira ushqimore dhe të aktivitetit fizik, thonë se djathi i bardhë është i jashtëzakonshëm për shëndetin.
Sipas tyre, ky djathë tretet shumë lehtë dhe nuk shkakton inflamacion.
Djathi është një burim i shkëlqyer proteine dhe kalciumi por edhe vitaminash.
Ky djathë është fantastik për shëndetin e stomakut sepse është i pasur me probiotikë./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje