Sallata me Grurë – Kombinimi më i Mirë për Rënien në Peshë

2.4k 0

Gruri është një nga drithërat më të shëndetshëm dhe më të lashtë në botë.

Ai është i pasur me vitamina, proteina, minerale dhe antioksidantë.

Nëse konsumoni grurë të papërunuar rregullisht do të merrni doza shumë të shëndetshme të zinkut, magnezit dhe vitaminës B3.

Zinku është i domosdoshëm për imunitetin dhe për tretjen e karbohidrateve.

Magnezi është i nevojshëm për kocka të forta, imunitet të fortë, nerva të shëndetshme dhe funksione të mira të muskujve.

Gruri është shumë i pasur me fibër e cila njihet për aftësinë në uljen e rrezikut të diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve të zemrës.

Fibra gjithashtu stabilizon nivelet e sheqerit në gjak dhe ndihmon në uljen e kolesterolit të keq.

Gruri është një nga ushqimet me bazë bimore me përmbajtjen më të lartë të proteinës.

Gruri ka më shumë proteinë se bishtajoret dhe drithëra të tjerë.

Ai është aleat i njerëzve që duan të humbasin kilogramët e tepërt.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë të thjeshtë për sallatë të ftohtë me grurë dhe perime për një vakt të shëndetshëm.

Përbërësit:

  • 160 gramë kokrra të thara gruri
  • 1 filxhan speca të kuq të prerë hollë
  • 1 filxhan e gjysmë kastravec të prerë në feta
  • 4 qepë të njoma të prera hollë
  • 2 lugë çaji majdanox të freskët të grirë
  • 150 gramë djathë të bardhë,
  • Gjysëm lugë çaji kripë.

Për marinimin:

  • 2-3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 3 lugë gjelle lëng limoni.

Përgatitja e Sallatës së Ftohtë

Përzieni vajin e ullirit me lëngun e limonit dhe lëreni mënjanë.

Vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni katër gota ujë, hidhni grurin dhe lëreni të marrë valë.

Kur të ndodhë kjo, uleni temperaturën dhe lëreni grurin të ziejë për 10 minuta.

Kullojeni dhe kriposeni e lëreni mënjanë.

Në enën tuaj të sallatës kombinoni kastravecat, specin, qepët dhe majdanozin,

Shtoni grurin e ngrohtë dhe djathin e bardhë.

Më pas vajin e ullirit të përzier me lëng limoni.

Shtoni kripë dhe piper sipas dëshirës dhe servireni.

Ekspertët e AgroWeb.org thonë se specat e kuq mund t’i zëvendësoni me domate./AgroWeb.org