Supë e Ngrohtë me Spinaq dhe Oriz – E Shijshme Plot Shëndet

10.3k 0

Një supë e shëndetshme, e pasur në vlera ushqyese dhe e shijshme sa më s’ka.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë një supë të thjeshtë por shumë të shijshme të përgatitur me spinaq dhe oriz.

Krahas shijes dhe vlerave ushqimore që ka, kjo supë është gjithashtu një mburojë shumë e mirë ndaj virozave, gripit apo problemeve që sjell e ftohura për organizmin.

Kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, byrekë të ndryshëm apo qofte shtëpie por edhe me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura apo turshi të përgatitura vetë.

Përgatitja e Supës me Spinaq dhe Oriz

Përbërësit

 (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona. Kjo supë nëse dëshironi përgatitet edhe pa mish)

  •  4-5 thela mish ( qengji ose pule)
  • 1.5 kg spinaq i freskët
  • 1 kokërr qepë
  • 1 filxhan kafeje oriz
  • 2 filxhan kafeje me vaj ulliri
  • Kripë
  • Kopër ose nenexhik
  • Lëng limoni

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni mirë dhe me ujë të bollshëm spinaqin.

Vendosni një tenxhere me ujë dhe kripë në zjarr lëreni të valojë. Sapo të ketë marrë një valë, largojeni nga zjarri kaloni spinaqin e aty dhe më pas kullojeni e priteni por jo shumë hollë.

Pastroni thelat e mishit dhe vendosini në një tenxhere.

Hidhuni vaj ulliri dhe kaurdisini nga të dyja anët. Më pas, shtoni qepën e grirë dhe kaurdiseni derisa volumi i saj të bjerë.

Shtoni ujë, aq sa thelat e mishit të mbulohen dhe lëreni të ziejë derisa mishi të zbutet.

Më pas shtoni orizin. Në momentin që orizi të jetë gjysmë i zierë shtoni spinaqin, koprën ose nenexhikun e grirë hollë. Kontrollohet nëse ka kripë sa duhet dhe lihet të ziejë derisa orizi të zihet plotësisht.

Për më shumë shije por edhe shëndet, në fund supës i shtohet edhe lëngu i një kokërr limoni.

Disa amvisa lëngun e limonit e presin me një të verdhë veze, e përziejnë mirë dhe më pas ia hedhin supës duke e trazuar atë pa ndërprerje derisa masa të njëtratësohet dhe më pas e servirin. /AgroWeb.org