Tradita e Vezëve të Rrahura – Ëmbëlsi dhe Shëndet Gjithë Ditën

3.1k 0

Vezët e rrahura, të ëmbëlsuara me sheqer, bën pjesë ndër traditat e hershme të amvisave shqiptare.

Dikur, ato ishin ëmbëlsirat e preferuara që ngazëllenin të vegjëlit gjatë të djelave, kur nënat i përgatisnin si diçka të veçantë për ditën e pushimit.

Fëmijët marroseshin për to, një masë kremoze si një re e bardhë, e butë, e shkrifët dhe e lehtë teksa konsumohet duke lënë një shije fantastike në qiellzë.

Ishte ëmbëlsira që lumturonte jo vetëm të vegjëlit, të gjithë në familje e shijonin gjithë kënaqësi të ëmbël.

Ato përgatiteshin gjithashtu si një mënyrë e shëndetshme për vaktin e mëngjesit.

Por përtej ëmbëlsisë dhe delikatesës së tyre në shije, vezët e rrahura kanë shumë vlera ushqyese pasi të përgatitura në këtë mënyrë, të pagatuara ato i ofrojnë organizmit më shumë vlera.

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët, sido të jenë të gatuara.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori. Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë përgatitjen

Përgatitja e Vezëve Të Rrahura Krejt Lehtë në Shtëpi

Përbërësit

(Sasia e përbërësve përzgjidhet bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuhet)

  • Vezë
  • Sheqer
  • Pak ujë
  • Pak lëng limoni (sipas preferencës)

Përgatitja

Si fillim ndajmë të bardhën nga e verdha e vezës.

Të bardhat e vezët i vendosim në një tas qelqi dhe të verdhat i vendosim mënjanë për t’i përdorur më vonë.

Nisim të rrahim fort dhe shpejt të bardhën e vezës derisa ajo të shndërrohet në një masë kompakte, të fryrë në formën e shkumës.

E bardha e vezës është gati në momentin që shkuma e krijuar bëhet e palëvizshme.

Për ta kuptuar këtë, mjafton që ktheni tasin përmbys dhe do të shihni se shkuma nuk bie apo nuk lëviz.

Më pas, shtojmë të verdhat e vezës, vijojmë t’i rrahim sërish me të njëjtin intensitet derisa masa të bëhet homogjene.

Për një shije dhe aromë edhe më tërheqëse mund t’i shtoni edhe pak lëng limoni.

Në fund shtoni sheqerin. Vijoni ta rrihni masën edhe për pak dhe kjo ëmbëlsirë fantastike është gati për tu shijuar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.