CEO i Philip Morris: “Ishte e qartë që në vitet 1990 se cigaret ishin të dëmshme”

676 0

Philip Morris dëshiron të jetë “smoke-free”. Për ta bërë këtë, CEO Jacek Olczak mbështetet në inovacionin e brendshëm nga qendra e kërkimit dhe zhvillimit të Philip Morris në Zvicër. Shkenca që qendron pas “IQOS” u zhvillua direkt në liqenin Neuchâtel. Pajisja elektronike e ngroh duhanin në vend që ta djegë. Por askush nuk dëshiron të flasë me Jacek Olczak për inovacionin dhe risitë që kjo kompani ka guxuar të sjellë.

CEO i Philip Morris, Jacek Olczak i është drejtuar audiencës me një mesazh gjatë “Technovation”.

Media zvicerane “Nebelsplitter” e takoi për një intervistë si pjesë e eventit të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, Technovation 2023.

  1. Olczak, ju jeni mjaft i hapur për të kaluarën tuaj si duhanpirës. A e mbani mend herën e parë që keni konsumuar cigare?

Jacek Olczak: Fillova të pi cigare kur isha në kolegj. Isha në fillim të të njëzetave dhe miqtë e mi pinin cigare. Ti e di se si funksionon zakonisht: shkon në një festë, provon një cigare dhe fillon të të pëlqejë, më pas përfundoni duke pirë cigare regullisht. Pastaj martoheni, bëni fëmijë dhe gruaja ju bën presion që më në fund të bëni diçka për shëndetin tuaj. Shumë duhanpirës e dinë këtë histori: Partneri ushtron presion mbi ta.

Si e bëtë kalimin?

Jam përpjekur shumë herë të lë duhanin por i kthehesha cigares pas një jave. Gjithmonë ka një justifikim për të filluar përsëri. Por më pas mora një të ftohur dhe cigaret e mia nuk kishin të njëjtën shije. Ishte pikërisht në këtë kohë, dhjetë vjet më pare, që ne zhvilluam prototipin e parë të IQOS. Kështu që unë isha në shtëpi, në thelb i vetmuar dhe testova prototipin.

Dhe pastaj?

Kur u ktheva në zyrë, gjeta një paketë cigare “Marlboro”. Unë piva një cigare dhe u binda se dikush në kompani kishte ndryshuar recetën e cigareve të mia. Nuk e njoha shijen. Që nga ai moment nuk kam pirë një cigare me djegie.

Në shumë vende po bëhen përpjekje për të kufizuar pirjen e duhanit. Si po e trajton këtë Philip Morris?

Të jemi realistë: Alternativa jonë nuk është pa rrezik dhe përmban nikotinë. Prandaj, nevojiten rregullore që përcaktojnë se produkti nuk është i disponueshëm për të gjithë. Por në vend të një ndalimi total, ne duhet të jemi në gjendje të komunikojmë për të mirat dhe të këqijat e produktit tonë. Na duhet mundësia të flasim me duhanpirësit dhe t’u themi: cigaret janë të dëmshme, alternativa është më e mirë. Por kur qeveritë madje ndalojnë komunikimin, si mund të mësojnë duhanpirësit për alternativat?

Rregullore të ndryshme janë në diskutim në Zvicër. Pra ka lëvizje…

Kohët e fundit pashë një artikull në një gazetë zvicerane se si duhet të pranohen cigaret elektronike. Pastaj kuptova: Ky artikull ishte disa vjeçar. Pra, ne kemi qenë duke debatuar se çfarë të bëjmë për vite me radhë, ndërkohë që u deshën 48 orë për të finalizuar marrjen e Credit Suisse. Dhe kjo ndodhi për një fundjavë. Shpëtimi i bankave gjatë fundjavës është i mundur, por një debat mbi rregulloret vazhdon për disa vite.

Pra, a nuk duam të diskutojmë seriozisht alternativat?

Ka disa zëra që e drejtojnë diskutimin në drejtimin e gabuar. Kur flas privatisht me mjekë dhe shkencëtarë, të gjithë bien dakord: produkti ynë është më i mirë dhe përfitimet shëndetësore në krahasim me cigaret janë të qarta. Sapo pyes nëse duan të shprehen publikisht, kundërshtojnë. Është stigma e të qenit Philip Morris.

A po “nënvlerësohet” shkenca?

Po, kështu duket. Në përgjithësi, mendoj se njerëzit sot priren të gjykojnë se kush jeni, çfarë ngjyre lëkure keni, çfarë feje jeni ose në çfarë besoni përpara se të dëgjojnë atë që keni për të thënë. Në rastin tonë, ne jemi të dënuar sepse jemi Philip Morris. Nuk bëhet fjalë për shkencën që përcjellim.

Dëshironi të zgjidhni problemet? 

Dhjetë vjet më parë vendosëm të bënim diçka për duhanin. Ishte tashmë e qartë në vitet 1990 se cigaret janë të dëmshme. Por inovacioni dhe të dhënat shkencore mungonin. Ne vendosëm të investonim. Duhet kohë për të zgjidhur problemet. Ne nuk mund të përshpejtojmë kohën që duhet për një zgjidhje. Por ne mund të fillojmë të punojmë më shpejt. Por përderisa mohojmë se ka një problem, nuk mund ta zgjidhim.

Çfarë mesazhi keni për duhanpirësit?

Duhanpirësit e dinë se pirja e cigares është e dëmshme. Arsyeja që ata nuk e lënë cigaren është se konsumi është si një ritual për ta. E thënë thjesht, duhanpirësit vazhdojnë të pinë duhan sepse u pëlqen pirja e duhanit. Kështu që mesazhi im për duhanpirësit është, nëse nuk e lini duhanin, ne do t’ju ofrojmë një alternativë më të mirë me të njëjtin nivel kënaqësie.

Pra, a keni një thirrje për të konsumuar produktet alternative?

Në mënyrë ideale, njerëzit do të ndalojnë duhanin. Më mirë akoma, as mos filloni. Por kjo nuk do të ndodhë. Gjithçka është provuar: çmime të larta, paralajmërime shëndetësore apo kufizime në marketing. Nuk funksionon sepse duhanpirësit e shijojnë duhanin. Pra, duhet të debatojmë për produktet alternative dhe jo duhanpirësin si qenie njerëzore. Duhanpirësit janë njerëz normalë, ashtu si gjithë të tjerët. Ata nuk janë njerëz të këqij. Është e papranueshme që stigmatizojmë duhanpirësit. Është mjaftueshëm e padrejtë t’u mohojmë atyre alternativa më të mira.

Zvicra si lokacion luan një rol të rëndësishëm për Philip Morris. Në çfarë mënyre?

Ne kemi investuar në Zvicër për 60 vjet. Një pjesë e madhe e shkencës dhe “knoë-hoë” vjen nga këtu. Alternativa jonë është një “Inovacion i prodhuar nga Zvicra”.

Megjithatë, duket se vlerësimi mungon. Është e saktë?

Më kujtohet një shembull. Ne ishim të ftuar në Expo në Dubai për të prezantuar alternativën tonë. Ne donim të tregonim se krijuam diçka të madhe. Por qeveria zvicerane, nën presionin e OBSH-së në Gjenevë, tërhoqi ofertën e tyre për të marrë pjesë së bashku në Expo. Nuk bëhej fjalë për Philip Morris apo industrinë e duhanit. Çështja ishte se shkencëtarët zviceranë bënë një shpikje në vendndodhjen zvicerane. Ishte një moment për të festuar së bashku. Por Philip Morris me sa duket ishte partneri i gabuar.

A jeni ftuar ndonjëherë për një intervistë nga Ministri i Shëndetësisë Alain Berset?

Jo, nuk kam qenë kurrë (qesh). Qeveria zvicerane nuk është unike në këtë drejtim. Ne numërojmë gjithashtu letrat që i kemi shkruar OBSH-së në Gjenevë dhe e di saktësisht se sa përgjigje kemi marrë, domethënë zero.

 

Përshtatur nga “Nebelspaltzer”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.