Siguria Ushqimore Nis në Shtëpi – Faktet që Duhet t’i Dini

1.8k 0

Problemet shëndetsore që shkaktohen nga ushqimet prekin shumicën e njerëzve në botë dhe në Shqipëri.

Gjithçka lidhet me rëndësinë e garancisë së sigurisë së ushqimit që ne konsumojmë.

Konsumatorët kanë nevojë për siguri që ushqimi që ata konsumojnë nuk është i ndotur me baktere të dëmshme, parazitë, viruse, toksina dhe kimikate.

Ndaj dhe AgroWeb.org duke bashkëpunuar me specialistë nga Projekti “The Food Safety”, ka renditur për lexuesit e tij disa fakte të rëndësishme mbi sigurinë ushqimore.

Ushqimet mund të ndoten mjaft lehtë duke nisur që nga prodhimi, shpërndarja apo përgatitja.

Të gjithë aktorët e zinxhirit të prodhimit përfshirë prodhuesin dhe konsumatorin kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë së ushqimit që hamë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit 1 në 10 njerëz sëmuren nga ushqimi i pakontrolluar çdo vit.

Konsumatorët Duhet të Jenë të Mirëinformuar Mbi Praktikat e Sigurisë Ushqimore.

Njerëzit duhet të jenë të informuar dhe të bëjnë zgjedhje të zgjuara ushqimore.

Për më tepër, ata duhet të krijojnë një sjellje të përshtatshme ndaj këtij fenomeni.

Faktet e Renditura Nga Specialistët E Sigurisë Ushqimore

Pasi të keni blerë perimet dhe frutat, mënyra më e mirë për t’i larë ato është uji i ftohtë dhe i pastër.

Pasi t’i keni larë sigurohuni që t’i thani, bakteret mund të tejçohen përmes lagështirës.

Por bëni kujdes me vezët dhe mishin e pulës. Këto dy produkte nuk duhen të lahen pasi bakteret e pranishme tek to mund të përhapen tek produktet e tjera.

Mënyra më e mirë për të eliminuar bakteret e mishit është duke e gatuar atë.

Përsa i përket shkrirjes së mishit, zakonisht ne mjaftohemi me nxjerrjen e tij nga frigoriferi dhe lënien mbi banak.

Por specialistët e The Food Safety Project cilësuan për AgroWeb.org se kjo nuk është mënyra e duhur.

Ju duhet ta kaloni mishin nga kati ngrirës tek ai i ftohjes së frigoriferit derisa ai të ketë shkrirë plotësisht.

Ashtu siç lajmë perimet dhe frutat, duhet të kujdesemi edhe për frigoriferin.

Nëse raftet dhe koshat e tij nuk pastrohen siç duhet, frigoriferi mund të kthehet në një vatër bakteresh.

Pse është e rëndësishme që kur bëni pazar ushqimet t’i vendosni menjëherë në frigorifer?

Është fare e thjeshtë, sipas të dhënave që AgroWeb.org siguroi nga The Food Safety Project, qumështi, mishi, vezët dhe pula nuk duhet të qëndrojnë në temperaturë dhome./AgroWeb.org