Perimet dhe Frutat Bio me Vazo në Ballkon

1.2k 0

Që kur u bëra nënë fillova të lexoja më shumë për ushqimet që duhej të konsumonte im bir dhe për të qenë e sigurt me çfarë do e ushqeja.

Prandaj vendosa që në ballkonin e shtëpisë të mbillja perime dhe luleshtrydhe. Prej disa vitesh e bëj këtë punë që më jep kënaqësi të shumfishtë.

E para është antistres, e dyta më pëlqen aroma që lëshojnë dhe më kënaqet syri. E treta janë aq shumë të shijshme sa më s’ka dhe më kryesorja është se mjaftojnë edhe për ne të rriturit.

Në ballkonin e shtëpisë më kishte mbetur vetëm një vazo me qepë të njoma, një spec i kuq djegës dhe një lule dimri që çel një herë në vit, në shkurt.

Pamje e trishtë. Ditët plot diell ma afruan më afër pranverën, ndaj vendosa të rivitalizoj ballkonin tim.

Te Pazari i Ri është një burrë i moshuar me një karrocë të lëvizshme metalike ngjyrë gri, ku blej gjithnjë fara.

Mora majdanoz e kopër në dy kaushë, 100 lekë. Më pas hyra në brendësi të pazarit, aty ku dikur ka qenë markata, diku aty shiten fidanë të ndryshëm.

Mora sallatë jeshile që më kishte mbaruar se e kam vënë herët, domate, speca dhe tranguj (25-30 lekë fidani).

Kungujt dhe patëllxhanët ai nuk i kishte marrë ende sepse mund të kemi ende disa ditë të ftohta dhe ato janë më pak rezistente.

Mund të mbillni në këtë kohë edhe luleshtrydhe dhe i keni për gjithë vitin. Puna e parë që bëra nga qejfi ishte ulja e vazove dhe pasurimi i dheut.

Nëse keni sobë drush apo oxhak, hirin e mbetur mos e hidhni poshtë. Atë mund ta përzieni me dheun e vazove sepse e shkrifton.

Dhe unë këtë bëra. Pasi e pastrova dheun nga rrënjët ekzistuese, e përzieva me hi.

Më pas shtova dhe’ të ri, të cilin e blej në dyqane kur është me skonto (20 dm3 500 lekë, pasi dheu shitet me volum vazoje dhe jo me kg) dhe shtëpia e perimeve të mia u kompletua.

Shkëputa me një thikë bukëpeshkun ku mbahen fidanët e me kujdes i vendosa në vazo me një distacë 10-15 centimetra nga njëra tjetra.

Ballkoni im nuk është shumë i madh, 4 metra është dhe ju do thoni; ku i mbolli kjo të gjitha këto?!

Por po j’ua tregoj. Në vazot e mëdha mbolla domatet, specat dhe trangujt.

Në vazo më të vogla, që mund të zëvendësohen edhe me ambalazhët e kosit 50 lekësh, mbolla sallatën. Një vazo e vogël është e mjaftueshme për një rrënjë sallatë.

Majdanozin dhe koprën e mbolla në dy filxhanë të mëdha kafeje, të cilat pasi u dëmtuan i përdor si vazo lulësh si dhe në një vazo tjetër, relativisht të vogël.

Më pëlqejnë shumë ata filxhanë kur shpërthen majdanozi e kopra, sepse i fus brenda shtëpisë dhe më zbukurohet kuzhina. Dhe ja, po ju sjell fotot se si rivitalizova ballkonin tim.

Rezarta, duke u kujdesur për perimet e mbjella në ballkonin e saj

Tani më duhet të bëj kujdes nga era e fortë, se duke qenë në katin e pestë fryn edhe më shumë.

Kam blerë disa shkopinj bambuje e nëse fidanët e sapombjellë mund të rrezikohen nga erërat, do t’i mbështes në shkopat e bambusë.

Ndërkaq, një këshillë për kopshtin gjatë muajit mars. Nëse ka ditë të ftohta sajoni një rrethim plastmasi të lidhur në dy shkopinj që vendosen në cepat e vazos.

Nëse ju duket punë e lodhshme bjerini edhe më shkurt. Merrni shishe plastike, pritini pjesën fundore dhe fusni bimën brenda. Mos harroni t’i hiqni kapakun shishes, sepse edhe bimët duan ajër.

Në gjithë këtë punë që sigurisht më hëngri disa orë, më ndihmoi im bir, për të cilin më vjen mirë që kujdeset për “tokën tonë” njësoj si unë.

Tani shijoj kafen në ballkonin e sistemuar. Me këtë pamje, shtëpia ime ka më shumë jetë. Lidhemi sërish në prill, të shohim ndryshimet dhe ju jeni në kohë ta ktheni ballkonin tuaj në kopsht.

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.