Mashurkat e Veçanta Mahune – Bishtajoret e Alpeve të Shqipërisë

820 0

Mashurkat janë pjesë e familjes së bishtajorëve dhe shquhen për vlerat e larta të hekurit që përmbajnë.

Këto bimë janë kultivuar prej viteve në zona të ndryshme të Shqipërisë, ama një lloj i veçantë i tyre rritet në veri të vendit.

Në zonën e Alpeve kjo lloj barbunje kultivohet për më se 70-80  vjet.

Sipas të dhënave që AgroWeb.org ka siguruar thuhet se fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi.

Aktualisht kjo lloj mashurke zë rreth 15-20 % të sipërfaqes që mbillet në zone.

Madje nga specialistë të fushës, Prof. Dr. Sokrat Jani dhe Prof. Dr. Fetah Elezi, kjo bishtajore është një bimë autoktone  cila tanimë është në rrezik zhdukjeje.

Bima ka një kërcell kacavjerrës dhe prodhon 50-70 bishtaja për fidan. Bishtajoret janë në formë plloçake, me gjatësi 12-15 cm e gjerësi 1,0-1,3 cm, me ngjyrë të verdhë.

Në këto zona malore mashurkat janë të verdha me tul të bardhë, të cilat janë më të ëmbla se barbunjat jeshile.

Kushtet e kultivimit të kësaj mashurke

Bima mbillet në ngastra tarrace të sheshta, me ekspozim nga dielli,  toka të thella e të pasura me lëndë organike dhe me mundësi ujitjeje.

Pas përgatitjes së mirë të tokës, mbillen farërat në brazdat ose në oxhakët e hapura me shat.

Mbjellja bëhet me rreshta 100-120 cm dhe midis bimëve (oxhakëve) në rresht 25-30 cm, duke lënë dy-tre bimë për oxhakë.

Pas mbirjes vendosen hunjtë apo shkopinjtë mbështetës. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve në mes rreshta.

Farat e kësaj bime mbillen gjatë Prillit dhe në fillim të Majit.

Prodhimi i bimës fillon në gjysmën e dytë të Qershorit  dhe vazhdon deri në vjeshtë.

Sipas ekspertëve ku bazohet dhe AgroWeb.org, kjo mashurkë ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Bishtajat nuk formojnë fijezim dhe japin prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Mashurkat ‘Mahune’ referohet për prodhim të freskët në gatime, për konsum në familje dhe për tregun lokal./AgroWeb.org