Dardhat shqiptare kultivohen gjerësisht gati në të gjithë vendin.
Sipas burimeve të AgroWeb.org, Përmeti, Pogradeci, Dibra, Korça, Vlora, Lushnja, Fieri, jo vetëm që janë prodhues shumë të njohur të këtyre frutave, por edhe përpunues të reçelrave dhe nënprodukteve të tjera cilësore.
Dardha konsumohet si frut i freskët, por shumë zona të Shqipërisë kanë specialitetet e tyre në të cilat dardhat përdoren të thara dhe të përpunuara.
Me dardhat bëhen lëngje të ndryshme, komposto, reçel, marmelatë, si edhe fermentohen dhe më pas përftohet një nga rakitë më të mira shqiptare, rakia e dardhës.
Por edhe komposto e dardhës së zier me kanellë dhe farat e karafilit të egër, kur shërbehet e ftohtë akull gjatë vapës së verës është një mrekulli më vete.
Përveç shijes së mrekullueshme dhe aromës së veçantë, dardhat janë ndër frutat më të ushqyeshme.
Vlerat e Dardhave
Për muskujt dhe nervat
Lëngu i dardhës është një burim i mirë i bakrit, një mineral që është pjesë përbërëse e melaninës, pigmenti i cili i jep lëkurës dhe flokëve ngjyrën përkatëse dhe që i mbron ato nga dielli.
Ky mineral së bashku me Vitaminat B1 dhe B2 ushqen sistemin nervor dhe ndihmon funksionet e nervave dhe muskujve.
Një gotë me lëng dardhë ofron 243 nga 900 mikrogramë bakër që ju nevojiten në ditë ose më shumë se 132 mikrogramë bakër që gjenden tek dardha e plotë.
Ul kolesterolin
Përmbajtja e lartë e pektinës në frutin e dardhës ndihmon për të ulur nivelin e kolesterolit.
Lufton problemet e tretjes – Pirja e lëngut të dardhës ndihmon gjithashtu edhe në lëvizjen e ushqimit në aparatin tretës.
Shërben veçanërisht kundër djegieve të stomakut, dispepsisë, gastriteve, koliteve dhe problemeve të zorrës së trashë.
Ndihmon në parandalimin e diabetit
Dardha ka përmbajtje të lartë fibre, vitamina B2 , C, E. Përmban bakër dhe kalium si dhe sasira më të larta se molla në pektin.
Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, konsumimi i dardhave mban të ulët sasinë e sheqerit në gjak dhe përmbajtja e lartë e fibrës ndihmon në parandalimin e shfaqjes së diabetit.
Antioksidantët që përmban dardha ndihmojnë gjithashtu edhe në uljen e tensionit të gjakut si dhe goditjeve në tru.
Rrit imunitetin dhe ul temperaturën
Kur të zë gripi ose kur ke temperaturë të lartë, AgroWeb.org tregon se pirja e një gote me lëng dardhe ndihmon në rritjen e imunitetit dhe ul temperaturën.
Lëngu i dardhës ndihmon gjithashtu në qetësimin e fytit të irrituar nga kolla.
Lëngu i dardhës i bën mirë kockave
Lëngu i dardhës rrit dozat e vitaminës K, e cila ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave me kalimin e moshës.
Kjo vitaminë ul rreziqet e formimit të frakturave të kockave dhe osteoporozës. Ajo ndihmon në mpiksjen e gjakut dhe parandalimin e humbjes së tij gjatë lëndimeve ose plagëve.
Një gotë me lëng dardhe përmban përafërsisht 13.3 mcg vitaminë K. Një dardhë e plotë nga ana tjetër përmban vetëm 7.2 mcg të vitaminës K./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje