INSTAT: Censi i Bujqësisë shtyhet për në vitin 2024

425 0

Instituti i Statistikave ka shtyrë për vitin 2024 Censin e Bujqësisë i cili fillimisht ishte parashikuar për t’u zhvilluar në vitin 2022.

Ky cens shihet i lidhur me atë të popullsisë i cili edhe ai pësoi një shtyje nga planifikimi fillestar që ishte viti 2020 kur edhe shpërtheu pandemia e COVID-19. Në dokumentin e tij vjetor INSTAT nënvizon se tashmë Censi i Popullsisë që do të zërë vend në tetor 2022 kërkon angazhim maksimal të burimeve njerëzore dhe operacionale dhe e bën të pamundur që në të njëjtin vit të mbahet edhe Censi i Bujqësisë.

“Censi i ardhshëm i Bujqësisë ishte planifikuar të kryhej në vendin tonë në vitin 2022, duke ndjekur rekomandimet e Programit Botëror për Censin e Bujqësisë 2020 . Kryerja e Censit të Bujqësisë është e lidhur ngushtë me rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave, pasi me të dhënat e përfituara nga moduli i bujqësisë në pyetësor, mundësohet ndërtimi i një bazë të re zgjedhjeje për Censin e Bujqësisë. Faza përgatitore për Censin e Bujqësisë ndikohet në terma kohorë dhe logjistik nga Censi i Popullsisë dhe Banesave, i cili do të zhvillohet në Tetor 2022. Mbi këto baza, INSTAT, në mënyrë që të angazhohet plotësisht për të gjitha aspektet teknike dhe operacionale, është i detyruar të shtyjë Censin e Bujqësisë në vitin 2024” thuhet në raport.

I njëjti sjell në vëmendje se INSTAT, gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me ekspertizën ndërkombëtare, ka rishikuar modulin e pyetjeve të cilat janë përfshirë në pyetësorin e Censit të ardhshëm të Popullsisë dhe Banesave, me qëllim përditësimin e listës së fermave bujqësore. Lista e përditësuar e fermave do të jetë korniza për Censin e ardhshëm të njësive ekonomike bujqësore.

Në këtë nismë INSTAT parashikon që të mbështetet nga donatorët kurse sa i takon dokumenteve strategjike është mbështetur nga Organizata Bujqësisë dhe Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO).

“Në punën përgatitore që INSTAT ka zhvilluar gjatë vitit 2020 përfshihet edhe përpjekja për gjetjet e burimeve të mundshme financiare mbështetëse për “Hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Censin e Bujqësisë”. Hartimi i strategjisë do të shërbejë për të planifikuar dhe detajuar elementët më të rëndësishëm të projektit, si dhe për përgatitjen e kuadrit rregullator dhe vlerësimin e burimeve dhe aktorëve që do të përfshihen më tej. Kjo përpjekje u finalizua në fund të vitit 2020, me një marrëveshje me FAO për mbështetjen në hartimin e dokumenteve strategjikë për Censin e Bujqësisë” thuhet në dokument./Burimi:Monitor