Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

1.9k 0

Kjo ditë në nder të pyjeve synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e pyjeve dhe pemëve jashtë tyre në të gjithë botën.

Pyjet mbulojnë një të tretën e masës tokësore të globit dhe kanë një funksion thelbësor për të mirën e gjithë njerëzimit.

Rreth 1.6 miliardë njerëz-përfshirë mbi 2000 komunitete indigjene- varen tërësisht nga pyjet.

Këto të fundit janë eko sistemet biologjikisht më të ndryshme në tokë dhe strehojnë mbi 80% e specieve të kafshëve, pemëve dhe insekteve mbi tokë. Pyjet gjithashtu ofrojnë strehë, punë dhe siguri për komunitetet, jeta e të cilëve varet prej tyre.

Pyjet kanë një rol kyç në betejën e njerëzimit për t’iu përshtatur dhe luftuar ndryshimet klimatike.

Ato balancojnë oksigjenin, dioksidin e karbonit dhe lagështinë e ajrit.

Pyjet mbrojnë burimet e ujit që mundësojnë furnizimin me mbi 75% të ujit të pijshëm.

E megjithatë, pavarësisht këtyre përfitimeve të çmuara ekologjike, ekonomike, sociale dhe shëndetësore, bota po vuan nga një shpyllëzim i niveleve alarmante.

Plot 13 milionë hektarë pyje shkatërrohen çdo vit. Shpyllëzimi është fajtor për 12-20 përqind të emitimit të gazrave serë që kontribuojnë në ndryshimet klimatike.

Në Shqipëri është miratuar një moratorium 10 vjeçar për prerjen e pyjeve për arsye fitimi.

Këtë vit pritet të mbillen jo më pak se 4 mijë hektarë pyje, ose jo më pak se 10 milionë fidanë pyjorë.

Do të krijohet një sistem monitorimi me kamera online, në pikat kyçe dhe akset rrugore kryesore për zonat pyjore.

Krijimi i një portali online në nivel kombëtar ku do të regjistrohen dhe të publikohen transaksionet e lëndës drusore dhe shfrytëzimi deri në konsumim, si dhe përmirësimi i kuadrit ligjor pritet të ndikojnë në parandalimin e djegieve të qëllimshme që synojnë ndryshimin e destinacionit të fondit pyjor.

The Guardian shkruan se: ‘Gjatë dy dekadave të fundit, shumë pemë në Shqipëri pranë lumenjve të furishëm si Vjosa, Osumi dhe Shkumbini janë prerë nga fshatarët në kërkim të drurëve për zjarr dhe nga sipërmarrësit për të spastruar territorin e për t’i lënë zonë të lirë një bum-i ndërtimesh nga i cili kanë përfituar më së shumti firma të huaja.

Pemët kanë mbajtur nën fre rrëshkitjen e tokës për shekuj me rradhë – duke shërbyer si sfungjer thithës gjatë kohës së shirave – por pa to, erozioni i tokës ka përshkallëzuar dëmet nga përmbytjet.‘ /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.