Supa me Perime, Shija e Shëndetit nga Natyra

3k 0

Një supë e shëndetshme plot shije, e thjeshtë në përgatitje por e pasur në vitamina dhe minerale.

Më të mirat perime të stinës, të pasura me vlera ushqyese, e sigurisht super të shijshme të sjella në një pjatë të ngrohtë supe janë dhurata më e mirë për një organizëm të fuqishëm dhe të shëndetshëm.

Një supë e lehtë, plot shije, e thjeshtë në përgatitje por e pasur në vitamina dhe minerale.

Kjo është pjata fantastike që sigurisht zgjon organizmin duke i ofruar atij gjallëri, energji dhe imunitet të fortë.

Kjo supë është një zgjedhje fantastike për të jetuar shëndetshëm dhe për përjetuar ndjesinë e mirëqenies e cila sigurisht, ashtu si lumturia, së pari vjen nga stomaku.

Larmia e perimeve të vjeshtës është e jashtëzakonshme.

Brokoli për tretjen e mirë, specat dhe lulelakra me fuqi antioksiduese, preshi, karrotat, kungujt e patatet e pasura me vitamina, spinaqi i pasur me hekur apo qepët shërueset e përjetshme.

Të kombinuara të gjitha së bashku në këtë recetë supe, këto perime shndërrohen në një aset të fuqishëm mbrojtës për organizmin ndërsa lufton virozat e stinës dhe komplikacionet që ato dhe i ftohti sjellin për organizmin.

Përgatitja e Supës së Vjeshtës

Përbërësit

Dy karrota (mesatare)

Dy patate (mesatare)

1 kungull (mesatar)

1 brokoli (mesatar)

1 lulelakër (mesatar)

1 grusht me gjethe spinaqi

1 Presh (përdoret vetëm pjesa e bardhë)

1 spec të gjelbër

1 kokër qepë

4 lugë vaj ulliri

800 ml lëng pule (mund të përdoret edhe ujë)

Kripë

Majdanoz

Përgatitja

Si fillim, pasi i kemi pastruar mirë, presim të gjitha perimet në kubikë të vegjël. Lulelakrën dhe brokolin i ndajmë në degëza të vogla. Edhe spinaqin e grijmë hollë dhe e lëmë në një tas më vete për ta përdorur në fund.

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit dhe hedhim qepët dhe preshin, të dyja të prera hollë me ndihmën e një thike.

I kavërdisim derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas shtojmë të gjitha perimet dhe i kavërdisim për disa minuta.

Hedhim kripën dhe lëngun e pulës (ose ujin).

I lëmë të zjejnë të gjitha bashkë për maksimumi 25-30 minuta.

5 minutat e fundit supës i hedhim spinaqin e grirë dhe e lëmë të zjejnë të gjitha bashkë për 5 minuta.

Në fund, supës sipas dëshirës i hidhet majdanoz. Supa serviret e ngrohtë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.