Kur Duhet të Hidhni Sherbetin e Bakllavasë?

7.7k 0

Me ardhjen e festave të gjithë fillojnë e mendojnë për darkën e fundvitit.

Tryeza duhet të jetë e mbushur me sa më shumë specialitete të cilat edhe pse kërkojnë shumë mund për t’u përgatitur, në fund të kënaqin me shijen e tyre.

Përsheshi, gjeli, sallata ruse, byreku, gatimet janë nga më të shumtat, por ajo që nuk mungon asnjëherë është bakllavaja.

Kjo ëmbëlsirë përgatitet duke kombinuar petët e përgatitura me mjeshtëri nga duart e amvisave dhe arrave të qëruara.

Sigurisht që kjo ëmbëlsirë nuk ka kuptim pa sherbetin.

Është pikërisht bashkimi i ujit, sheqerit dhe lëngut të limonit, që e kthen bakllavanë në një delikatesë perfekte.

Përse Sherbeti Ka Rëndësi?

Përveç shijes, sherbeti ka një funksion akoma edhe më të rëndësishëm.

Ai kthen petët krokante e të forta, në mrekullinë që të gjithë shijojmë kur provojmë bakllavanë.

Por nëse ai nuk përgatitet siç duhet, prish shijen e kësaj ëmbëlsire.

Mund t’ju ketë rastisur që sherbeti t’ju ketë dalë i hollë, e kështu bakllavaja të jetë bërë e ujshme.

Nga ana tjetër nëse sherbetin e përgatisni më të trashë petat e bakllavasë nuk arrijnë të zbuten dhe ngelin të forta.

Kur Është Momenti i Duhur për të Hedhur Sherbetin?

Për ëmbëlsirat të cilat përgatiten me sherbet, ka një metodë që ndiqet gjithmonë.

Kur është momenti për të hedhur sherbetin, amvisat ndjekin njërën nga dy mënyrat: ose shtojnë sherbetin e ngrohtë tek ëmbëlsira e ftohur, ose shtojnë sherbetin e ftohtë tek ëmbëlsira e ngrohtë.

Një strategji e tillë ndiqet për të gjitha ëmbëlsirat ku nevojitet sherbet siç janë: kadaifi, revania, tullumbat, qumështori e shumë të tjera.

Përsa i përket bakllavasë tek sherbeti duhet të tregoni kujdes.

Nëse keni përgatitur një baklava me peta të gatshme, duke qenë se nuk ju mundojnë shumë, sherbeti nuk duhet të hidhet i ngrohtë.

Duke qenë se petat e gatshme nuk janë të freskëta, ato nuk qëndrojnë krokante pasi janë pjekur.

Por, ato janë perfekte nëse dëshironi që bakllavaja juaj të jetë pak më e butë se zakonisht.

Gjithsesi, nëse ju e hidhni sherbetin e nxehtë tek bakllavaja e përgatitur me peta të gatshme, ato do të zbuten së tepërmi.

Përsa i përket bakllavasë tradicionale, të përgatitur me peta të freskëta, koha kur duhet hedhur sherbeti ndryshon.

Tek kjo baklava, AgroWeb.org ju këshillon që sherbetin ta shtoni të ngrohtë tek ëmbëlsira e ftohur pas pjekjes.

Diçka e tillë mundëson që petat të zbuten aq sa duhet dhe të ruajnë formën e tyre.

Më pas mjafton që ta lini bakllavanë disa ditë që të pijë sherbetin dhe më pas mund ta shërbeni për të afërmve tuaj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.