Jufkat e Arta të Dibrës – Tradita e Mirë e Shijes Unike Shqiptare

4.4k 0

Të gjithë keni dëgjuar për Jufkat e Arta të Dibrës, simboliken e grave dibrane, veprën e tyre të trashëgimisë të kuzhinës tradicionale shqipëtare.

Tashmë në Dibër, jufkat nuk kanë mbetur më vetëm një traditë, por për disa gra janë kthyer edhe në biznese të qëndrueshme e fitimprurëse. Prej vitesh, puna e grave si Dashurie Zerja dhe Flutura Begu lidhet vetëm me prodhimin e jufakave.

Nëse kthehemi pas, fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë; të shisje jufka në Dibër ishte njësoj si të doje t’i shisje borë një eskimezi që jeton në borë, sepse zonjat dibrane e njohin të gjitha artin e të përgatiturit të jufkave.

Kështu nisi puna në treg, me të gjitha peripecitë e fillimit, ku paratë per të investuar siç e do çdo biznes mungonin, dhe paragjykimet e mentalitetit për femra “qe dalin dhe shesin ne treg” nuk të linin të qetë as ditën dhe as natën.

Jufkat e Dibrës – Një Histori Suksesi

Me këmbëngulje dhe guxim, por mbi të gjitha për nevojat në rritje të familjes për disa të ardhura më shumë, çdo gjë filloi të merte formë.

Fillimisht i gjithë prodhimi ishte artizanal, por ngadalë dhe me durim filluan edhe investimet e para.

Me të ardhurat nga shitjet, u siguruan ambjente më të mëdha për të prodhuar e më pas u blenë edhe makineri të përshtatëshme të cilat rritën kapacitetin dhe nivelin e prodhimit të jufkave.

Në Peshkopi prodhohen në disa punishte jufka, por punishtet Zerja dhe Begu janë kthyer në ikona të këtij biznesi, dhe gëzojnë emër të mirë, jo vetëm në zonë por edhe më gjerë, duke u kthyer në burim të ardhurash edhe për gratë e tjera që punojnë aty.

E në të gjithë këtë histori, suksesi nuk mjaftohet me kaq. Kur e mira është nisur për tek ty, duhet të hapësh një derë të madhe, si në rastin e Dashurie Zerjes dhe Flutura Begut.

Në kuadër të projektit ndërkufitar IPA të financuar nga BE-ja mbi “Standardet dhe Çertifikimi i produkteve Bujqësore, ngritja e Kapaciteteve në përthithjen e Fondeve dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetje të Rritjes Ekonomike dhe Tregtisë të Agrobizneseve”, këtë muaj, në punishtet e Jufkave Zerja dhe Begu, u mundësua implementimi i standarteve të larta të sigurisë ushqimore dhe çertifikimi HACCP  për jufkat e Dibrës.

Jufkat, ushqimit tradicional shqiptar, të përgatitura thjesht vetëm me miell, vezë dhe qumësht, me shijen dhe vlerat e traditës, dhe tashme 100% të sigurta në tavolinat tona.

Receta e Jufkave

Më poshtë do të gjeni një recetë të thjeshtë e të lehtë për gatimin e jufkave në shtëpi.

Përbërësit:

7 të verdha veze

1 vezë e plotë

1 kg miell

Qumësht

Përgatitja:

Përzieni miellin me vezët dhe shtoni qumësht deri sa brumi të zihet siç duhet.

Qumështi duhet hedhur ngadalë për aq sa ka nevojë formimi i brumit.

Pasi brumi të jetë i njëtrajtshëm, futeni në një enë, mbështilleni me napë dhe lëreni të vijë për një orë.

Pasi brumi të ketë ardhur, filloni formoni kuleçë të vegjël.

Hapja e kuleçëve është një proçes që mund të bëhet më i lehtë duke përdorur niseshte.

Petat e hapura duhet të jenë të mëdha, në të njëjtat përmasa të tepsive.

Secila prej petave të hapura duhet vendosur mbi një copë të pastër për tu tharë.

Nuk duhet ta teproni me tharjen, sepse më pas prerja e shiritëve do të vështirësohet.

Pas tharjes, secila prej petave duhet rrumbullakosur si rulo dhe prerë hollë.

Fijet e formuara mund t’i shpurpurisni dhe t’i vendosni mbi copat e pastra e të mëdha për t’u tharë.

Pasi të jenë tharë plotësisht, jufkat duhen vendosur në qese ose kuti.

Jufkat mund t’i përgatisni shumë thjesht sipas recetave të ndryshme që përdoren për gatimin e makaronave./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.