Kur e keqja vjen nga ajri

499 0

Iniciativa e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj që të paktën në tre muajt e fundit, nga një ditë e ka lënë qendrën të marrë frymë, sigurisht që është e dobishme për cilësinë e ajrit, por jo zgjidhje. Teksa konsultohemi me shifrat e ndotjes, Agjencia Kombëtare e mjedisit, në raportin e vitit 2014, shënon se problematik mbetet numri i ditëve që tejkalojnë standartin ditor të BE-së (50 µg/m³). Në Tiranë vetëm në një zonë, nga katër të monitoruara, rezulton se norma e ndotjes u tejkalua në 102 ditë të vitit. Ndotja e ajrit vret. Shifrat e Organizatës Botërore të shëndetësisë vlerësojnë se 80% e vdekjeve te parakohshme nga infarkti dhe sëmundjet e zemrës, 14% të vdekjeve nga sëmundjet kronike obstructive pulmonare ose sëmundjeve akute pulmonare, dhe 6% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive, lidhet me ndotjen e ajrit urban.

Më 29 Nëntor, Qendra e Tiranës do të ketë një ditë tjetër pa makina, ndërsa në akset e tjera do dominojë sërisht efekti “sardele”. Teoritë për përmirësimin e ajrit janë të shumta, por le të marrim një variant të gatshëm, të realizueshëm e që në fakt ka dhënë rezultate konkrete në Itali. Sigurisht që ne nuk jemi Italia, por me një përshtatje “alla shqiptarçe”, mund t’ia dalim. (Në Itali makinat që lejohen të kalojnë në qendër janë vetëm ato elektrike dhe me gaz dhe, këto të fundit, në diskutim për tu ndaluar sërish).

Ndërhyrja e parë

Secili automjet kalon në kontrollin teknik vjetor ku sigurisht, matet dhe sasia e gazeve që lëshon motorri. Që në gjenezë përcaktohen tre-katër kategori me numra A (s’ka),B (i ulët), C (mjaftueshëm) dhe D (i rrezikshëm) të cilat tregojnë nivelin e sasisë së ndotjes që ka makina. Gërma vendoset në xhamin e makinës dhe me një vendim të këshillit bashkiak në bashkëpunim me policinë rrugore caktohen akset ku mund të kalojnë këto makina. Marrim në shembull konkret; Nëse ke një makinë të tipit A, ke akses të hysh dhe në qendër. Me një makinë të tipit B, të lejohet hyrja në qendër me grafik, në oraret që nuk ka pik trafiku.

Makina e Tipit C lejohet të qarkullojë nga Unaza e në diagonale pa e kaluar pjesën e brendëshme dhe tipi D s’duhet të marrë kolaudim pa përmirësuar cilësinë ose të punojë në zona larg qendrave të banura, në fshatra atje ku dhe ajri është më i pastër. Kjo masë, e thjeshtë për tu realizuar ,do i japi jetë Tiranës, frymë qytetarëve. Qytetarët duhet ndërgjegjësohen që s’mund të mbajnë një makinë të rrënuar, e që tymi i zi që lënë pas të vrasë njerëz. Nëse nuk kanë mundësi të blenë një makinë më të mirë, mund t’i rikthehen biçikletës. Secili prej nesh mund të bëj diçka për veten e të tjerët.

Ndërhyrja e dytë

Bashkia, e cila merret me transportin qytetas, duhet të detyrojë pronarët që kanë marrë në koncesion linjat e urbanëve, për të vendosur mjete të reja që reflektojnë ndotje të ulët. Jo rrallë na ka ndodhur, dhe jam e sigurt që 99 për qind e kanë provuar, që teksa ecin në rrugë pamja i mjegullohet nga tymi i zi i urbanëve të lodhur që mezi tërhiqen rrugëve të kryeqytetit. Ndaj asnjë licencë nuk duhet dhënë për koncesionarë që kanë mjete të vjetra, ndërsa ata që janë ende në marrëveshje me bashkinë duhet urgjentisht të ndryshojnë apo riparojnë mjetet, në të kundërt masa e vetme që duhet të marrë bashkia, është zgjidhja e kontratës. E njëjta zgjidhje mund të bëhet dhe për furgonët që transportojnë fëmijët në shkolla. Ministria e Mjedisit testoi 21 shtatorin 2014, ditën e vizitës së Papa Franceskut në Tiranë, ku u ndalua lëvizja e automjeteve për shkak të sigurisë.

Matjet u zhvilluan në Rrugën e Durrësit e cila përkatësisht u bllokua nga ora 7.00 deri më 17.00. Niveli i ndotjes shënoi 0. Ndaj i takon qeverisë lokale dhe asaj qëndrore që në bashkëpunim me njëri-tjetrin të përmirësojnë cilësinë e ajrit. Ndërkaq që, në ligjin nr.162 i vitit 2014 “Për Mbrojtjen e cilësisë së ajrit në Mjedis”, neni 13, pika 1 thotë se; Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për mjedisin dhe të ministrit përgjegjës për transportin, miraton vendimin për masat që duhet të merren kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe në nenin 20 pika ç shkruhet; ndotja e ajrit, e shkaktuar nga burimet e lëvizshme, në kundërshtim me kërkesat e nenit 13, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1 000 000 (një milion) deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë. Ligjet i kemi, ndaj merrni masat.

‘Aarhusi’

Shqipëria në vitin 1998 nënshkroi Konventën e Aarhusit, një dokument juridik ndërkombëtar që përcakton një sërë rregullash, të drejtash e detyrimesh në fushën mjedisore dhe vetëm në vitin 2000 kur parlamenti e ratifikoi atë, nisën përpjekjet për hartimin e përmirësimin e legjislacionit mjedisor. Kjo konventë i sanksionon publikut edhe të drejtën të ankohet në gjykatë për probleme mjedisore.

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.