Petulla me Lulelakër për të Kënaqur Nepsin dhe Oreksin

935 0

Një mënyrë fantastike për të ndezur shijen e mirë të gatimit në gjithë familjen. Sigurisht petullat mbeten ndër recetat më të preferuara të shqiptarëve.

Me djathë a me reçel, me mjaltë a me kanellë, petullat janë ndër recetat më ndjellëse të shijes.

Sidomos kur ato përgatiten nga  duart e nënave dhe gjysheve, është e pamundur tu rezistosh.

E sigurisht, sapo nis të hash një prej tyre nuk mund të ndalësh pa ngrënë edhe disa të tjera.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së petullave me lulelakër.

Shoqërohen në mënyrë fantastike me kos por edhe me djathë të bardhë.

Përgatitja e Petullave të Shtëpisë me Lulelakër

Përbërësit

2 gota uji me miell

1 gotë uji me kos

1 kokërr vezë

Gjysmë luge kafeje me sodë

Vaj

Pak kripë

Pak gjalpë (një lugë të vogël)

Një kokë lulelakër

Përgatitja e Lulelakrës

Lulelakra pastrohet nga gjethet dhe i hiqet kërcelli.

Tufat e mëdha të luleve ndahen në disa pjesë.

Lahen në ujë të ftohtë dhe lihen të zjejnë në ujë të valuar me kripë (15-20 minuta).

Lulelakra hiqet nga zjarri, kullohet uji dhe e nxehtë vendoset në një pjatë që të ftohet.

Ndahet në feta të vogla, vendosen mbi një pecetë kuzhine në mënyrë që tu thahet lëngu dhe spërkaten me pak kripë.

Përgatitja e petullave

Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën dhe pak gjalpë.

I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.

Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.

Brumi duhet të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.

Lulelakrat e zjera dhe të kriposura i fusim në brumin e petullave.

Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.

Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.

Mund të përdorim një lugë gjelle për ndarjen e brumit për çdo petull.

Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.

Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.