Mënyra Për të Ulur Faturën e Energjisë

1.8k 0

Të gjithë e kemi parasysh ndjesinë kur fatura e energjisë elektrike të shkarkon gjithë energjinë e brendshme, ndërsa ndjen xhepin të të zbrazet. Fatura e energjisë, me një mesatare prej së paku 4-5 mijë lekë në muaj, ka edhe raste që kapërcen përtej mundësive që të lejon xhepi. AgroWeb ju vjen në ndihmë për të kursyer, pa shumë mundim dhe pa ju shkuar mendja të lidhni telat e energjisë me fqinjin, siç ndodh jo rrallë. Nëpërmjet këtyre praktikave të thjeshta, mesatarisht mund të reduktohe konsumi i energjisë nga 1% në 7% (në varësi nga ndriçimi dhe paisjet shtëpiake të pranishme) dhe mund të kursehet nga 11% deri në 35% nga fatura juaj.

1.Pajisjet

24 orë në prizë Pajisjet elektrike, të cilat qëndrojnë gjithë kohës në prizë, karikues telefoni, TV, kompjuter etj, konsumojnë energji elektrike edhe kur nuk janë të ndezura. Kemi plot spina në prizë, të cilat qëndrojnë për inerci të vendosura gjithë kohës, duke konsumuar energji elektrike. Një televizor, nëse qëndron në prizë gjatë gjithë vitit do të konsumojë afërsisht 73 kWh në vit. Ç’duhet bërë? Sasia e energjisë e konsumuar: 8% Aksioni për të kursyer: Të lihen në gjendje joaktive Rezultati i arritshëm në kursim: 1%

2. Frigoriferi

Për frigoriferët Bashkimi Evropian në klasin A të kësaj pajisjeje ka bërë një nënndarje më të detajuar, duke specifikuar në A+, A++ dhe A+++. Ky i fundit ofron një kursim në vlerën katër herë më pak se klasi G i këtij produkti. Për shembull, një frigorifer i mbajtur me dyer mbyllur gjatë gjithë kohës në kushte laboratori për një vit, klasi G do të konsumonte mbi 781 kWh. Ndërkohë një frigorifer i klasit A do të konsumonte më pak se 300 kWh dhe ai i klasit A+++ do të konsumonte më pak se 188 kWh në vit. Frigoriferi duhet vendosur në një ambient sa më të freskët në mënyrë që edhe puna e tij të jetë më e lehtë. Pasi në çdo gradë mbi 20°C konsumi i tij rritet me 6%. Frigoriferi siguron një ruajtje të ushqimeve në një temperaturë deri në +5°C dhe në zonën ku është ngrirja deri në – 18 °C. Por, gjithashtu, një frigorifer, i cili ka më shumë se 10 vite që përdoret, harxhon më tepër energji me kalimin e viteve të përdorimit. Ç’duhet bërë? Sasia e energjisë e konsumuar: 22% Aksioni për të kursyer: Të mbahen larg nga burimet e nxehtësisë, të pastrohen hapësirat e ventilimit, të mos mbahen hapur pa arsye, të mbahen larg murit të paktën 10 cm, termostati të mbahet në 4-6°C.Në rast të blerjes së një frigoriferi të ri, mundohuni të zgjidhni në të klasës A+++, pa ngrirje dhe që përmbush kërkesat e blerësit. Rezultati i arritshëm në kursim: 1%

3. Lavatriçja

Edhe këtu klasi A sjell një kursim në konsum thuajse dy herë më pak. Ku në një makinë larëse, e cila punon dy herë në javë, (104 larje në një vit) me 5 kilogram rroba pambuku në temperaturën 60°C do të konsumonte: në klasin G mbi 507 kWh dhe në klasin A më pak se 247 kWh. Gjithashtu, programet e paralarjes në çdo makineri harxhojnë shumë energji, ndaj edhe larja në temperatura të larta apo paralarje kur nuk është nevoja, shpesh duhet mënjanuar. Por gjithashtu edhe tipi i detergjentit mund të ndihmojë në konsum. Ç’duhet bërë? Sasia e energjisë e konsumuar: 7% Aksioni për të kursyer: Të zgjidhen temperaturat bazë ≤ 40°C.Në rast të blerjes së një lavatriçe të re, mundohuni të zgjidhni në të klasit A+++ me opsion të dyfishtë(ftohtë/ngrohtë). Të pastrohen rezistencat dhe filtrat. Rezultati i arritshëm në kursim: 0.5%-2%

4. Soba

Këshilla e parë sigurisht do të ishte kursimi me anë të përdorimit të bombulave të gazit. Sigurisht, këto lloje sobash sjellin një kursim të mirë të energjisë elektrike, por problemi qëndron edhe tek furra. Edhe këtu teknologjia ofron klasin A, e cila sjell një kursim i cili llogaritet mbi 2 herë, nga njëri ekstrem i klasit në tjetrin. Një sobë me pllaka qelq-qeramike është më efikase, pasi konsumon më pak energji, ashtu sikurse një furrë me rezistenca, e cila do t’ju kursente deri në 40% energji elektrike. Ç’duhet bërë? Sasia e energjisë e konsumuar: 5% Aksioni për të kursyer: Të mbahet gjithmonë pastër, të kontrollohet izolimi i furrës për të parandaluar humbjet, të kontrollohet furra nëpërmjet një termometri, të gatuhen sa më shumë gjëra në të njejtën kohë dhe të përdoren mjetet e përshtatshme në proçesin e të gatuarit.Në rast të blerjes së një sobe të re, mundohuni të zgjidhni një të klasës A dhe me opsionin e ventilimit. Rezultati i arritshëm në kursim: 0.5%-1%

5. Kondicioneri

Është e vërtetë që ky produkt ka një harxhim të lartë të energjisë elektrike, por përdorimi i tij dhe vendosja ka një rëndësi të madhe në kursim. Edhe këtu klasi A sërish bën dallimin. Kondicionerët klasi A janë një shkallë më poshtë se klasi AA, i cili i ofron konsumatorit një kursim thuajse 0.3 herë më shumë se klasi G. Një kondicioner me fuqi ftohëse 5.7 kWh, i përdorur 500 orë në një vit, do të konsumonte në klasin AA më pak se 734-890 kWh dhe në klasin G më shumë se 1295 kWh. Ndërkohë, gjatë ngrohjes kondicioneri harxhon më shumë energji se gjatë ftohjes. Çdo gradë temperature më e ulët nënkupton 6% energji të kursyer. Gjithashtu, duhet pasur parasysh edhe izolimi i mirë i shtëpisë. Ç’duhet bërë? Sasia e energjisë e konsumuar: 15% Aksioni për të kursyer: Në rast të blerjes së një kondicioneri, mundohuni të zgjidhni një të teknologjisë inverter. Të instalohet kondicioneri larg pranisë së rrezeve të diellit. Rezultati i arritshëm në kursim: 1%-2.5%

6. Ndriçimi

Llambat LED janë shpëtimi për kursimtarët, Këto llamba ndryshe njihen edhe me emrin “llamba ekonomike”. Ata ofrojnë një kursim deri në 80% në krahasim me llambat inkandeshente. Por duhet përmendur edhe fakti se nëse zgjidhni llambat inkandeshente, kujdes në llojin e tyre, pasi ato e kanë të përcaktuar konsumin që kanë. Ç’duhet bërë? Sasia e energjisë e konsumuar: 13% Aksioni për të kursyer: Shmangia e shpërdorimit, zëvendësimi i llambave me të tjera më efiçente. Rezultati i arritshëm në kursim: 10-80%

7. Boljeri

Ka dy mënyra se si mund të kursesh: njëra është në varësi të vendosjes, ku sa më pranë pikës së konsumit aq më mirë është, pasi ndalon humbjen e energjisë gjatë linjës. Më pas boljeri duhet graduar në 55-60 °C. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që përdorimi i dushit konsumon tri herë më pak energji sesa përdorimi i vaskës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.