NASA: 2016 – Viti më i nxehtë në histori

189 0

Viti që lamë pas ishte zyrtarisht viti më i nxehtë në Tokë që kur filluan të mbaheshin statistikat në vitet 1880. Për të tretin vit rradhazi temperaturat thyejnë rekord dhe 2016-a është zyrtarisht viti më i nxehtë në histori sipas Organizatës Botërore të Meteorologëve, NASA-s dhe NOAA-s.

Shkencëtarët thonë se efekti serë i shkaktuar nga gazrat, të cilat njerëzit i shtojnë kryesisht nga djegia e fosileve dhe reduktimi i pyjeve, kontribuan ndjeshëm në rritjen e temperaturave gjatë 2016-ës.

Aktiviteti njerëzor mbi natyrën nuk është më delikat dhe ne mund të shohim qartë pasojat të cilat na vijnë në formën e përmbytjeve, stuhive, thatësirave të gjata dhe zjarreve.

Duket se fati nuk është nga ana e planetit tonë. Vala e të nxehtit ardhur nga oqeani Paqësor në vitet 2015-2016 i quajtur El Niño është kombinuar me trendet e ngrohjes globale që vihen re nga viti 1970 duke na dhënë sërish një vit tropikal.
Por kjo nuk është më e keqja. Ndërsa temperatura në Tokë është rritur vetëm me 1 gradë celsius, Arktiku vazhdon të ngrohet më shpejt me rreth 3 gradë celsius duke mbajtur në minimum nivelin e akullit.

Edhe pse statistikat vjetore tregojnë vite më të nxehta apo më të freskëta, rezultati final mbas disa dekadash do të jetë pashmangshmërisht, rritja e temperaturave mesatare me disa gradë, nëse përqëndrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë do të vazhdojë të rritet.

Liderët botërorë dhe qeveritë e tyre u mblodhën në Paris vitin e shkuar dhe premtuan të reduktojnë emetimin e gazeve serë dhe ka ardhur koha të mbajnë premtimin sipas Stefan Rahmstorf, shkencëtar i Institutit të Potsdamit mbi Ndryshimet Klimatike.

Në samitin e Klimës që u mbajt në Paris në Dhjetor të 2015, pjesëmarrësit konfirmuan se limiti i rritjes së temperaturat globale do të ishte 2 gradë dhe se ata do të përpiqeshin fort ta ulnin atë në 1.5 gradë. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.