Reçeli i Hithrës – Receta e Guximshme

1k 0

Hithra është një nga barishtet më të preferuara të shqiptarëve. Vlerat e saj e bëjnë hithrën të papërsëritshme në shumë receta.

Ndërkohë që jemi mësuar ta konsumojmë hithrën si çaj, supë ose në produkte brumi, AgroWeb.org ju ka treguar se barishtja mund të përdoret edhe si verë.

Në këtë artikull AgroWeb.org do t’ju tregojë për një variant më të ëmbël të hithrës; reçelin e saj.

Në fakt, bëhet fjalë për një revolucion të mirëfilltë në tryezën e ngrënies.

Reçeli i hithrës në krahasim me marmaladat apo reçelërat e tjerë me sheqer është jo vetëm i lehtë dhe i thjeshtë në gatim, por një alternativë shumë më e shëndetshme.

Receta e reçelit të hithrës

350 gramë gjethe hithre. (Sasia e rekomanduar varion nga 300 gramë deri në 400 sipas shijes së preferuar)
1 kg sheqer
500 ml ujë
1 lugë gjelle me xhenxhefil të freskët e të grirë hollë.
1 limon
1 ose 2 qese pektine

Udhëzime për përgatitjen e reçelit

Hithrat mblidhini në pranverë. Këpusni vetëm majat nëse nuk dëshironi që reçeli të ketë shijen e tokës. Pasi të keni mbledhur gjethet e sipërme të hithrave, lajini me ujë të ftohtë.

Mos harroni të vishni doreza që mos t’ju djegë lëkura. Tufat e hithrave hidhini në një tenxhere të madhe, shtoni ujë dhe sheqer si dhe lëkurën e lëngun e një limoni të plotë.

Shtoni edhe xhenxhefilin dhe përziejini së bashku nën një temperaturë mesatare. Vazhdoni përzierjen deri sa sheqeri të jetë shkrirë mirë dhe lëngu të ziejë për 10 minuta.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Në këtë mënyrë, hithrat do të lëshojnë aromën dhe vlerat e tyre në lëng. Ftohja e lëngut duhet të vazhdojë gjatë natës ose për të paktën 12 orë.

Më pas lëngun duhet ta filtroni me një kullesë ose një napë në mënyrë që të përfitoni një lëng të kulluar dhe të kthjellët.

Lëngun e pastër hidheni sërish në tenxhere dhe lëreni të ziejë sërish shkurtimisht. Hiqeni nga zjarri dhe shtoni pektinën pluhur dhe më pas ziejeni sërish për disa minuta deri sa lëngu të trashet dhe të kthehet në reçel.

Shurupin hidheni në kavanozë qelqi të sterilizuar dhe më pas konsumojini sipas dëshirës.

Reçeli i hithrës është një shoqërues mjaft interesant si për gatimet e ëmbla, ashtu edhe për ato të kripurat përfshirë mishin e qingjit, derrit, djathin e dhisë apo djathra të tjerë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.