Receta e Qumështorit me Kungull Vjeshte – Si ta Përgatisni në Shtëpi

3.3k 0

Qumështori mund të quhet si një nga ëmbëlsirat më tradicionale të Shqipërisë.

AgroWeb.org për lexuesit e tij ka sjellë pothuaj të gjitha mënyrat e përgatitjes.

Nga ajo tradicionalja e më pas dhe recetat më të reja si ajo e qumështorit me kanellë, arra, sherbet apo petë.

Sot sjell për ju një tjetër recetë të re, atë të qumështorit me kungull stine.

Nëse ju pëlqen byreku me kungull, kjo ëmbëlsirë do të jetë e përkryera për ju.

Kungulli i jep një tjetër shije kremit klasik të qumështorit, e ndërsa petët i dhurojnë recetës diçka krokante.

Përbërësit

10-12 petë të gatshme (një pako)

350g kungull i zier dhe i shtypur

2 kokrra vezë

5 lugë gjelle sheqer

2 lugë gjelle miell

2 filxhan çaji me qumësht

Sheqer pluhur

Përgatitja

Duke qenë se përbërësi kryesor i qumështorit është kremi i mbushjes, atë përgatisni të parin.

Vendosni në zjarr qumështin të ngrohet.

Hidhni në një tas vezët e më pas sheqerin dhe rrihini pa ndërprerje derisa masa të njëtrajtësohet.

Më pas shtoni, gjalpin të cilin më parë e keni shkrirë dhe kungullin e zier dhe të shtypur.

AgroWeb.org ju këshillon që gjalpin para se ta hidhni në masën e vezëve dhe sheqerit të siguroheni që të jetë ftohur.

Më pas hidhni miellin bashkë me kanellën dhe përzjejeni pa pushim në mënyrë që mielli të mos krijojë kokrriza.

Pasi masa të jetë bërë e njëtrajtshme shtoni qumështin e nxehtë dalëngadalë.

Duhet treguar kujdes pasi nëse e hidhni të gjithë qumështin menjëherë, vezët do të priten.

Kalojeni përsëri masën në tenxhere dhe vendoseni në zjarr mesatar.

Gjithnjë duke e përzier me telin e kuzhinës, lëreni që të kthejë valë e të mpikset.

Sapo të trashet kremi, lëreni të ftohet dhe vazhdoni me përgatitjen e petëve.

Ajo që ju duhet është pak gjalpë i shkrirë dhe tava ku do të piqni qumështorin.

Lyeni tavën me gjalpë dhe shtroni aty gjysmat e petave duke e spërkatur secilën me gjalpë.

Kur masa e kremit të jetë ftohur hidheni tek tava dhe përhapeni mirë.

Tani AgroWeb.org ju këshillon që të shtroni petat e mbetura po njësoj siç vepruat me të parat.

Kur të keni mbaruar  futeni tavën për ë pjekur në 200 gradë derisa petat të kenë marrë ngjyrë të artë.

Para se ta shërbeni lëreni pak të ftohet, kështu dhe do të mpikset kremi, dhe mund ta spërkatni me pak sheqer pluhur./AgroWeb.org