Kuzhina shqiptare është fantastike në listën e recetave të panumërta tradicionale duke na ofruar shije fantastike për çdo stinë.
Në një ndër gatimet më autentike nga duart e amvisave shqiptare janë padyshim edhe roshnicat.
Roshnicat janë ideale për një vakt dreke apo darke dhe shoqërohen në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, turshi dhe zahire të tjera të përgatitura nga amvisat shqiptare.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së roshnicave në shtëpi me pulë deti si dhe një supë të shijshme të përgatitur prej tyre.
Kjo është një pjatë fantastike të cilën padyshim që mund ta shërbeni gjatë drekave dhe dakrave festive në këtë fundvit.
Si Të Përgatisim Roshnicat
1 kg pulë deti
Katër lugë gjelle vaj ulliri
Kripë dhe piper për shije
2 të verdha vezësh
3-4 thelpinj hudhra të shtypura
Një lugë gjelle gjalpë
Lëngu i një kokërr limoni
Për Roshnicat
Në një tas hidhni gjashtë lugë miell dhe pak kripë.
Rrihni dy të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.
Përzjeini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.
Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohet në kokërriza të vogla.
Më pas, vendosini roshnicat në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.
Përgatitja e Supës
Pastroni pulën dhe ndajeni në copa.
Në një tenxhere, shtoni vajin e ullirit dhe copat e pulës për t’i skuqur për pak minuta nga të dyja anët.
Hidhni pak kripë dhe ujë derisa të mbulohen mirë të gjitha pjesët e pulës duke e lënë që të zjejë për 20 minuta.
Ndërkohë, në një tigan hidhni një lugë gjalpë dhe skuqni roshnicat derisa të zverdhen.
Shtojini në tenxheren ku keni pulën dhe lëngun e saj dhe vendosni sërish në zjarr për të zjerë bashkë derisa supa të mpikset.
Sapo lëngu të jetë mpiksur dhe trashur pak shtoni hudhrat, lëngun e limonit, piperin e zi dhe hiqeni nga zjarri.
Kjo supë fantastike e kuzhinës shqiptare serviret e ngrohtë./AgroWeb.org