Shapkati i Lazaratit – Trashëgimi e Kulinarisë Shqiptare

3.3k 0

Kur bëhet fjalë për gatimin, çdo zonë e Shqipërisë nga Veriu në Jug ia vlen me patjetër të vizitohet.

Aroma mbresëlënëse e çdo gatimi, shija fantastike, kombinimet e thjeshta por perfekte e kanë shndërruar kuzhinën tradicionale në më të preferuarën e turistëve.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së Shapkatit sipas traditës së nënave dhe gjysheve të Lazaratit. Një zonë e njohur për disa gatime tipike tradicionale që ruhen e përgatiten brez pas brezi në çdo familje të këtij fshati.

Shapkati, është një lakror i përgatitur me miell misri, lakra të egra, spinaq apo presh e qepë të njoma.

Pavarësisht kombinimit të tij, mënyra e përgatitjes dhe përbërësit e tjerë të freskët, të prodhuar nga vet banorët e zonës, si qumështi e gjalpi freskët, i japin këtij gatimi një shije perfekte që të përfshin tërësisht.

Përgatitja e Shapkatit sipas Traditës së Lazaratit

Përbërësit

  • 1 kg lakra të egra (sipas preferencës pazi, hithra, labot, lëpjetë, qumështore, spinaq)
  • 1-2 qepë të njoma
  • 400 miell misri
  • Një filxhan çaji me qumësht
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • 50 gr gjalpë të freskët    
  • 2 kokrra vezë
  • Nenexhik i freskët
  • Kripë

Përgatitja

Si fillim lajmë me ujë të rrjedhshëm lakrat e egra duke i shpëlarë disa herë dhe duke u siguruar mirë që të jenë pastruar plotësisht.

I presim hollë dhe i përvëlojmë në ujë të nxehtë ose i kalojmë në një tenxhere me 1-2 gota ujë që të ziejnë për disa minuta derisa uji të avullojë.

Në vijim, AgroWeb.org ju sugjeron që në një enë rrihni vezët, shtoni qumështin, përzjeheni mirë me vezët. Nëse dëshironi shtoni pak djathë të bardhë të thërrmuar. Shtoni aty vajin e ullirit, miellin e misrit, lakrat e ziera dhe erëzat. Përzjehini derisa masa të bëhet homogjene.

Merrni një tepsi, lyejeni me pak gjalpë dhe pak miell (që të mos ngjitet lakrori). Vendosni aty masën e përgatitur me miell misri.  Hapeni masën në të gjithë sipërfaqen e tepsisë dhe spërkateni sipërfaen me gjalpë të tretur.

Më pas futeni për pjekje në furrë të parangrohur në 180 gradë përreth 35 minuta derisa sipërfaqja të ketë marrë ngjyrën e artë të pjekjes.

Shapkati shoqërohet në mënyrë fantastike me dhallë të freskët të përgatitur në shtëpi si dhe sallata të ndryshme, të freskëta të stinës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.