Shqipëria mes 5 vendeve me potencial energjetik në botë

2k 0

Interesi ndaj Shqipërisë si një vend ku ia vlen të investosh në energji të rinovueshme ka prekur majat. Të mirat e të qenit një vend i bekuar me 2.400 orë diell në vit dhe një mesatare prej 240-300 ditësh me diell, me 152 lumenj dhe përronj të vegjë dhe 8 lumenj të mëdhenj dhe fuqi ere në bregdet që të shkul vendit, të shpërblejnë të bëjnë që të biesh në sy të investitorëve të huaj. Shqipëria është renditur në listën e pesë vendeve me potencial të madh në energjinë e rinovueshme në botë, krah Kinës, Kosta Rikës, Afganistanit dhe Indisë. Në një analizë të publikuar së fundmi nga britanikja “The Guardian” ekspertë ndërkombëtarë vlerësojnë potencialin e vendit tonë në energinë e pastër.

Zakonisht që një vend të jetë atraktativ për investime në energjinë e rinovueshme i duhen dy gjëra: të jetë i pasur me burime natyrore (diell, ujë, erë) dhe të ketë një kuadër të fortë ligjor. Shqipëria është akoma në gjysëm të rrugës.

Përsa i përket burimeve natyrore mund të mburremi me plot gojën se jemi në majë dhe për këtë, më shumë se njeriut ia dedikojmë nënës natyrë që na ka falur këtë tokë. Shqipëria është vendi i dytë në Evropë, pas Norvegjisë që ka pothuajse 100% të energjisë së rinovueshme elektrike në sajë të shfrytëzimit të burimeve hidrike përmes hidrocentraleve dhe që është e bekuar me diell gjatë gjithë vitit.

Ndërkohë që, përsa i përket aspektit ligjor me ndryshimet që i janë bërë ligjit “Për energjinë e rinovueshme”, miratuar dhe nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, synohet që të tërhiqen më shumë investitorë në këtë fushë. Por ngërçi i vetëm në këtë pikë, mbetet implementimi i tij, për shkak të vonesave të shumta në vendosjen e rregullave në këtë kuadër ligjor. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë në vendosjen e kushteve për energjinë e rinovueshme për Shqipërinë. Deri në vitin 2020, afërsisht 38% të energjisë, konsumatorët shqiptarë do të duhet ta sigurojnë nga energjia e rinovueshme. Ky është një kusht i vendosur nga BE, i cili do t’iu sigurojë qytetarëve shqiptarë kosto më të ulët të energjisë dhe një mjedis më të pastër dhe pa ndotje dhe më shumë investime, për të cilat ka kaq shumë nevojë.

Për sa i përket energjisë së rinovueshme jo hydro, Shqipëria është shumë mbrapa po të krahasohet me vendet e tjera të rajonit, edhe pse vendi ynë ka potencial të madh për të ngritur parqe ere deri në 2000 MW.

Si e shohin ekpertët potencialin energjik të Shqipërisë Shqipëria, një vend i vogël me 2.77 milionë banorë ka shumë potencial dhe një të ardhme të shkëlqyer përsa i përket energjisë së rinovueshme, shkruan për “The Guardian” John O’Brien një këshilltar teknik për rajonin për ndryshimet klimatike në Programin e OKB për Zhvillimin për Europën dhe Azinë Qëndrore.

E shtyrë nga dëshira për të reduktuar varësinë ndaj lëndëve djegëse fosile të importuara dhe për të promovuar furnizimin e sigurtë me energji, qeveria e Shqipërisë ka inkurajuar investimet në rritje në energjinë e rinovueshme dhe për këtë në vitin 2013 u miratua dhe një ligj për promovimin e energjisë së rinovueshme. Ligji i ri i energjisë së rinovueshme vendos një objektiv të detyrueshëm kombëtar për energjinë e rinovueshme (jo-hidro) prej 38% deri në vitin 2020. Përveç kësaj, i jep prioritet projekteve të energjisë së rinovueshme, procedurave të licensimit dhe mundësisë për të nënshkruar marrëveshje shit-blerje të energjinë e rinovueshme deri në 15 vjet me tarifa perferenciale, që do të përcaktohen nga rregullorja.

Kjo paketë masash do të ofrojë një besim më të madh tek investitorët se investimet e tyre në energjinë e rinovueshme në Shqipëri ofrojnë një kthim të investimit në një vend që ka me bollëk burime të energjisë së rinovueshme. Uji është burimi më i rëndësishëm natyror i Shqipërisë. Së paku tetë lumenj të mëdhenj që përshkojnë vendin e që furnizohen nga qindra rrjedha të vogla, ndërkohë që burimet totale të hidrocentraleve janë vlerësuar në 4500MW. Përveç kësaj, potenciali i energjisë diellore është i shkëlqyer, pasi vendi ka numrit më të madh të orëve me diell në vit në Europë (një mesatare prej 2400).

Potenciali i energjisë së erës për Shqipërinë është gjithashtu shumë i mirë përgjatë të gjithë bregdetit Adriatik. Ligji për energjinë e rinovueshme është miratuar rreth dy vjet më parë, por investimet në energjinë e rinovueshme jo hydro në vend, janë akoma në nivel zero. Pjesërisht kjo është dhe për shkak se legjislacioni nuk ka përfunduar ende, por edhe si pasojë e mungesës së vetëdijes së sektorit privat për mundësitë që ka ky sektor.

Në afat të gjatë, potenciali për rritjen e investimeve në fushën e energjisë së rinovueshme në Shqipëri është i shkëlqyer, duke e bërë vendin një eksportues të energjisë. Shqipëria planifikon të shpenzojë mbi 200 milion $ për të ndërtuar kabllot e energjisë në Itali, një vend me kërkesë të lartë për energji. Çka pritet të sjellë investime të reja në energjinë e rinovueshme. AgroWeb.org/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.