Shqiptarët pak të shqetësuar nga ndryshimet klimatike

272 0

Toka është me temperaturë të lartë. Dhe ky është një fakt. Po ta mendosh, vetëm 1 gradë temparaturë të rritet në trupin tonë dhe na shkakton ethe, ndërkohë që me 5 gradë më shumë përfundojmë në spital. Por për tokën, temperaturat e së cilës do të rriten 3-10 gradë celcius, nuk duket se shqetësohemi shumë. Ndërkohë që e gjithë bota është në rrokopujë nga efektet e ndryshimeve klimatike, për shqiptarët, ndryshimet klimatike nuk shihen si një kërcënim i madh.

Sipas një raporti të publikuar nga Pew Research Center, vendet e Ballkanit nuk janë të shqetësuara për pasojat e këtij problemi global, duke qenë në zonën e vendeve më pak të shqetësuara. Raporti, i cili eksploron opinionin global në lidhje me ndryshimet klimatike, tregon se vetëm 24 përqind e të pyeturve ishin shumë të shqetësuar që ndryshimet klimatike mund të kishin një ndikim tek ata, krahasuar kjo me 40% të mesatares globale. Harta botërore tregon përqindjen e popullsisë së çdo vendi, të cilët ishin “shumë të shqetësuar” kur u pyetën: “Sa të shqetësuar jeni ju, nëse jeni, në lidhje me ndryshimet klimatike nëse do të ndikojnë personalisht në ndonjë moment të jetës suaj. Harta vë në dukje trendin në rajon, ku Evropa dhe Amerika e Veriut së bashku me Australinë janë më pak të shqetësuar se vende të tjera si Uganda përshembull apo Brazili.

Thatësia është në majën e shqetësimeve klimatike në të gjitha rajonet, e ndjekur nga përmbytjet apo stuhitë e forta, periudhat e gjata me mot të ngrohtë dhe rritja e nivelit të detit, për të cilat Evropa dhe Amerika duket të jenë më të shqetësuarat. Në të ardhmen e afërt, ashtu si në të gjithë botën edhe Shqipëria do të ndikohet nga ndryshimet klimatike me temperatura të larta e me më pak reshje si dhe rritje të nivelit të detit. Ndryshimet klimatike do të ndikojnë gjithashtu në burimet e ujit, prodhimin e energjisë, turizmit, ekosistemet, bujqësinë dhe në zonat bregdetare.

Nëse këto fenomene nuk merren në konsideratë dhe nuk adresohen siç duhet, ekspertët vënë alarmin se kjo do të dëmtojë zhvillimin e vendit, duke rritur varfërinë e duke minuar në këtë mënyrë progresin. Pak kohë më parë në një intervistë për Agroweb, ambjentalisti Xhemal Mato dhe Lavdosh Feruni ngritën shqetësimin në lidhje me ndryshimet klimatike në Shqipëri. Për ambjentalistin Xhemal Mato, vendi ka nevojë për masa konkrete për ndryshimet klimatike dhe një ndryshim në mendësi dhe politika afatgjata.

Ndërkohë që për ambjentalistin tjetër, Lavdosh Feruni ndryshimet klimatike janë një fakt, ndaj të cilit ne duhet të ndërhyjmë në mënyrë të menjëhershme. “Shqiptarët janë sjellë keq me mjedisin këto dekadat e fundit dhe ne duhet ta rikonsiderojmë marrëdhënien njeri-planet”, është shprehur Feruni për Agroweb. Një marrëdhënie që në fakt për shqiptarët nuk duket aq shqetësuese, duke qenë se ka një përqindje të ulët të njerëzve që shqetësohen për impaktin e klimës. Ka shumë mënyra të thjeshta për të ulur emetimin e gazit, shumë prej të cilave do t’ju kursejnë edhe para. Mund të bëni një termoizolim më të mirë të shtëpisë që të jetë ngrohtë në dimër dhe e freskët në verë, mund të përdorni llamba më ekonomike.

Të fikni dritat në dhomat ku nuk qëndroni, të përdorni më pak makinën dhe më shumë transportin publik apo biçikletën, të shpërdoroni më pak ushqimin dhe të konsumoni më pak mish. Por në fund, pavarësisht të gjithave sistemi energjetik nuk mund të ndryshojë pa politika të forta. Shqipëria paraqiti planin e saj të ri të veprimit të klimës në Konventën e OKB-Në kuadër të Ndryshimeve Klimatike (UNFCCC), duke u zotuar për të ruajtur të ulët emetimin e gazeve serrë nga prodhimi i energjisë elektrike dhe për ulur rritjen nga shtimi i gazit serrë në sektorë të tjerë.

Edhe pse vendi ka nivele të ulëta të gazit serrë, sërish është i rrezikuar. Në 25 apo në 30 vitet e ardhshme, shkencëtarët thonë se klima do të jetë pak a shumë e ngjashme me atë të sotme, por duke u ngrohur disa gradë më shumë. Shirat do të jenë më të rrëmbyeshëm në shumë vende të botës, por periudhat ndërmjet shiut do të jenë shumë më të nxehta dhe rrjedhimisht më të thata. Përmbytjet do të shtohen dhe do të shkaktojnë akoma më shumë dëme. Në një kohë më të gjatë, nëse emetimi i gazit serrë do të rritet pa kontroll, rreziqet do të jenë akoma më të mëdha.

Shkencëtarët i druhen faktit se efektet e ndryshimeve klimatike do të destabilizojnë shumë vende, duke sjellë valë refugjatësh, duke zhdukur shumë bimë dhe kafshë nga toka dhe duke bërë që akujt polarë të shkrijnë duke rritur nivelin e deteve aq sa të përmbysë shumë qytete bregdetare të botës. Dhe vendi ynë është në listën e vendeve të rrezikuara dhe ky është momenti që ne duhet të veprojmë, pasi nuk kemi vend tjetër se ku të shkojmë. Shtëpia ku strehohemi po rrjedh ujë dhe na duhet ta rregullojmë para se të mbetemi të pastrehë. AgroWeb.org/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.