Si të Kombinoni Vajin e Ullirit me Erëza dhe Barishte

1k 0

Vaji i ullirit i përzier me erëza dhe barishte të ndryshme është fantastik për t’u përdorur, jo vetëm në sallata apo makarona, por edhe për t’u shijuar me bukën e preferuar, sidomos kur në kujtimet e secilit konsumator shqiptar buka e lyer me vaj ulliri zë një vend të veçantë.

Këto përzierje të jashtëzakonshme përbëjnë gjithashtu edhe një dhuratë shumë të mirë ‘të bërë vetë’ për miqtë e zemrës.

Formula për të përzier vajin e ullirit me erëzën ose barishten tuaj të preferuar është mjaft e thjeshtë.

Zgjidhni hapat e sugjeruar nga AgroWeb.org dhe shqisat tuaja të shijes dhe aromës do t’ju falenderojnë.

Si të veproni?

Niseni punën me përbërësit kryesorë që mund të gjenden lehtë.

Përdorni vaj ulliri të një cilësie të mirë ekstra të virgjër, barishte të freskëta dhe përbërës natyralë, të cilët do t’i japin produktit përfundimtar një aromë të pastër dhe unike.

Lajini të gjithë përbërësit që do të futen brenda në vaj dhe thajini sa më mirë që të mundeni.

Nëse keni mundësi lërini barishtet të thahen gjatë gjithë natës.

Duhet të dini që bakteret nuk rriten dhe zhvillohen dot tek vaji i ullirit, por ato gjenden me tepricë në ujin që lëshojnë përbërësit e tjerë që do të zhyten në vaj.

Mund të përdorni fara të specit djegës për një vaj pikant.

Gjeni një shishe që vuloset dhe izolohet mirë.

Sugjerohen kavanozët ose shishet e qelqit që kanë kapak prej gome.

Lajeni enën e përzgjedhur dhe thajeni mirë.

Shtypini barishtet e përzgjedhura që të stimuloni çlirimin e vajrave esencialë që ato përmbajnë dhe vendosini në enën e vajit të ullirit. Nëse preferoni erëza, mund t’i nxehni dhe t’i shtypni gjithashtu.

Specat djegës dhe limonët duhen prerë hollë dhe më pas të futen në enën e përzgjedhur.

Hapi tjetër është që të mbuloni erëzat dhe barishtet me vaj ulliri, mbylleni tapën dhe lëreni enën ose shishen në një vend të errët dhe të freskët për një deri në dy javë përpara se ta përdorni.

Përzierja dhe njësimi i vajit me erëzat ose barishtet do të ndodhë natyrshëm me kalimin e kohës.

Herë pas here provojeni vajin e njësuar me erëza për të krijuar një ide mbi produktin përfundimtar.

Pasi lëngu të ketë arritur shijen që prisnit kullojeni vajin dhe hidheni në një shishe tjetër të pastër.

Nëse dëshironi mund të ngrohni vajin e pakulluar me gjithë përbërësit shtesë në një tenxhere në nxehtësi mesatare. Lëreni të ftohet dhe më pas kullojeni vajin dhe hidheni në një shishe tjetër.

Kjo metodë do ta përshpejtojë njësimin e shijes së erëzave dhe vajit, por edhe do të shmangë rrezikun e rritjes dhe zhvillimit të baktereve dhe do të forcojë shijen dhe cilësinë e vajit të ullirit.

Vajrat e përzier duhet të ruhen në frigorifer dhe mund të zgjasin për më shumë se një muaj.

Nëse përbërësit shtesë të vajit nisin të shfaqin shenja të prishjes, atëherë hidheni vajin menjëherë./AgroWeb.org