Ushqime Të Shpejta Dhe Të Shëndetshme Për Të Gjithë

1.6k 0

Fëmijët nuk i rezistojnë dot ushqimeve të shpejta pa vlera shëndetësore, por AgroWeb.org do t’ju mësojë se si të përgatisni ushqime të shpejta që janë të shëndetshme për të vegjël e për të rritur.

Recetat e mëposhtme janë shumë të lehta për t’u përgatitur në shtëpi.

Fëmijët stresohen gjithnjë kur duhet të hanë mëngjes, që sipas ekspertëve është vakti më i rëndësishëm.

Heqja dorë nga ky vakt ka një efekt negativ në përformancën e fëmijës në shkollë dhe suksesin e përgjtihshëm.

Vakti i mëngjesit i bën fëmijët më të sukseshëm dhe më pak obezë. Të dhënat shkencore tregojnë që, niveli i obezitetit tek fëmijët që hanë mëngjes rregullisht është i ulët.

Shumica e ushqimeve të shpejta të paketuara ose, që shiten nëpër markete dhe pranë shkollave janë të mbushura me lloj lloj yndyrnash të dëmshme, konservantë, etj.

Paketimet shumëngjyrëshe tërheqin menjëherë vemendjen e fëmijëve të cilët janë të rrezikuar nga përmbajtja e këtyre produkteve.

Lexoni më poshtë recetat e thjeshta dhe praktike të AgroWeb .org

Qofte djathi

Nëse fëmija juaj nuk e pëlqen djathin dhe nuk ia dilni dot ta bëni ta provojë atë, atëherë bëni qofte djathi.

Përzieni djathtë të bardhë, domate të thata, majdanoz dhe arra.

Shtypini dhe rrumbullakosini me dorë si të ishin qofte. Mund të hidhni edhe fara suzami dhe kopër.

Këto qofte janë të shijshme dhe mund të piqen në furrë ose të konsumohen si janë.

Patatina molle

Patatinat e mollës janë një variant i thjeshtë, i lehtë dhe i shëndetshëm ushqimi.

Prini mollët hollë, lyejini me lëng limoni, pak kanellë dhe vendosini në furrë, sipër një letre pjekjeje.

Sigurohuni që fetët e mollës mos të prekin njëra tjetrën. Piqini për rreth një orë në një temperaturë prej 100 gradë celcius.

Kos frutash me tërshërë

Trazojeni kosin mirë. Vendosni frutat e preferuara të fëmijës suaj duke i prerë në copa të vogla. Frutat e sugjeruara janë: bananet, portokallet, kajsitë, rrushi dhe ananasi. Vendosni kosin në një mikser, shtoni një lugë tërshërë dhe përzijini së bashku. Ky kombinim është shumë i shijshëm.

Patatina të pjekura pikante

Patatinat e marketit kanë në përmbajtjen e tyre, yndyrna të shumta dhe shtojnë peshën por edhe i ekspozojnë fëmijët ndaj elementëve kancerogjenë.

Prijini patatet në feta të holla dhe zhytini në një enë me ujë për gjysëm ore.

Më pas thajini me letër kuzhine dhe lyejini me vaj ulliri, pak piper nëse dëshironi, mente dhe pak kripë.

Piqini në një tavë të mbuluar me letër pjekjeje për 45 minuta në një temperaturë prej 200 gradësh.

Qumësht me luleshtrydhe

Hidhni në mikser një gotë me qumësht dhe luleshtrydhe të freskëta.

Shtoni vanilje, ose një lugë me akullore me shije vaniljeje dhe një lugë mjaltë.

Miksojeni deri sa të bëhet kremoze.

Ky lëng është i shijshëm dhe i shëndetshëm. Eshtë e sigurt që fëmijëve tuaj do t’ju pëlqejë shumë.

Banane dhe ananas me çokollatë

Shkrini çokollatën në banjo mari. Prini bananet dhe ananasin në një enë të përshtatshme për temperaturat e ftohta.

Vendosni mbi to shkopinj të hollë dhe mbulojini frutat me çokollatën e shkrirë.

Pjatën vendoseni në frigorifer për një orë dhe më pas shërbejini. /AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.