Kungulli i Misirit, Risia e Biznesit Shqiptar të Reçelit

1.6k 0

Dimensioni i traditës sonë të famshme në përgatitjen e reçelit ka krijuar vulën shqiptare në një botë të tërë magjike shijeje dhe ëmbëlsie.

Dikur, kjo traditë ishte e kufizuar brenda kuzhinës së nënave dhe gjysheve. Ndërsa sot është shndërruar në një biznes të “ëmbël” fitimprurës për këdo që ka guxuar drejt kësaj sipërmarrjeje.

Me një emër krejt interesant “Jam Fruta” që mishëron në vetvete filozofinë e shëndetit dhe mirëqenies, prej tre vitesh Dashamir Elezi i’a ka dalë që të ngrejë një biznes të mirëfilltë me traditën më të mirë të kuzhinës shqiptare: Reçelin.

Mjeshtëri në përgatitje, fruta të freskëta të kultivuara nga fermat shqiptare, shije e jashtëzakonshme, esenca e traditës në secilën prej recetave.

Të gjitha këto, i bëjnë llojet e reçelit, marmalatave apo glikove të prodhuara nga kjo sipërmarrje e re, në produktin më special “Made in Albania” të kërkuar plot interes nga tregjet e Europës dhe më gjerë.

“Fillimisht është pasioni mbi këtë traditë të hershme shqiptare pastaj sigurisht biznesi.

Për të patur çdo lloj reçeli, marmelate apo glikoje me vlerat maksimale të frutave përdorim gjithmonë frutat e fermave shqiptare.

Në mënyrë kategorike, të gjitha produktet janë 100 % me ëmbëlsim natyral nga lëngu i rushit të përqëndruar.

Falë kësaj veçorie, vlerat ushqyese janë të garantuara” thotë Dashamir Elezi, administrator i “Jam Fruta”. Ai tregon për AgroWeb.org përkushtimin dhe pasionin e përditshëm në aktivitetin e sipërmarrjes së tij.

Por krahas traditës së recetave tipike, të cilat i kemi provuar të gjithë sa në shtëpitë tona po aq edhe të gjysheve, sot një mënyrë tjetër fantastike jo vetëm në tërheqjen e konsumatorëve por edhe në sjelljen e një risie në tregun shqiptar janë disa receta reçeli të veçanta.

Në disa raste të padëgjuara më parë e që intrigojnë me shijen e tyre. Një prej këtyre recetave është befasuesi reçel i Kungullit të Misirit.

Reçeli Shijeplotë i Kungullit, Shije dhe Sukses  

Mund të tingëllojë çuditshëm por ndër llojet më të veçanta, padyshim të shijshme e mbi të gjitha shumë befasues është Reçeli i Kungullit të Misirit. Për Elezin, ky lloj reçeli është ndër më të kërkuarit sot, më interesantët dhe më tërheqësit nga konsumatorët.

Kjo recetë e lashtë, mesjetare me origjinë nga Mantova e Italisë ka mahnitur këdo që e ka provuar me shijen e saj të plotë dhe fantastike. Aq sa, nëse nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, vështirë se mund t’a gjesh që është prej kungulli.

Për të përgatitur këtë lloj reçeli duhet me patjetër Kungull Misiri, shija e të cilit në çdo mënyrë gatimi është fantastike.

Kultivimi i Kungullit të Misirit në Shqipëri bëhet në fshatrat e Elbasanit, Tiranës e Lushnjes. Janë këto zona, nga të cilat “Jam Fruta” furnizohet për përgatitjen e reçelit të kungullit.

Si fillim kanë qenë restorantet që kanë tërhequr këtë lloj reçeli e disa markete prestigjoze. Ndërsa tani fama e tij po përhapet gjithandej, madje edhe drejt tregjeve europiane.

Receta Misterioze

Ka diçka misterioze në përbërësit e reçelit të Kungullit të Misirit. I pyetur nga AgroWeb.org, Elezi vështirë se e tregon recetën.

“Është sekrete, ndaj dhe nuk mund ta bëjmë publike.

Sigurisht që mund të ketë shumë receta për këtë lloj reçeli. Por ju siguroj përbërësit e recetës sonë janë unik.

Ndaj dhe sekreti dhe fshehtësia e kësaj recete për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme” thotë ai.

Megjithatë, për kuriozitetin e të gjithëve AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë të reçelit të kungullit.

Përgatitja e reçelit të kungullit në shtëpi

Kjo recetë mund të përgatitet krejt lehtë në shtëpi nga të gjithë. Për këtë reçel, u duhen  2 kg copa kungulli të prerë, 1-2 kg sheqer, 2 litra ujë të gëlqerosur, dy portokaj dhe 200gr arra.

Si fillim, qërojmë kungullin dhe e ndajmë në copëza të vogla.

Më pas, copëzat e prera të kungullit i lëmë për dy orë në një enë ku kemi hedhur ujin me gëlqere. Për ujin e gëlqerosur, na duhet 100 gr gëlqere në 2 litra ujë.

Pas dy orësh, heqim copëzat e kungullit nga gëlqerja dhe i shpëlajmë disa herë me ujë të përvëluar. Ndërsa kullojmë kungujt, në një enë përgatisim sherbetin duke hedhur 2 kg sheqer dhe 400 ml ujë.

Pasi sherbeti të jetë nxehur hedhim copëzat e kungullit dhe portokajtë e qëruar. Portokalli shkrihet dhe ofron një nuancë ideale në shije.

Reçelin e lëmë të ziejë në zjarr të ngadaltë për rreth një orë. Pastaj hedhim arrat dhe e lëmë të ziejë edhe 15 minuta.

E heqim nga zjarri dhe nisim ta hedhim në kavanoza të sterilizuar. Pasi i mbushim me reçel, kavanozat i mbyllim fort, i lëmë të ftohen dhe i mbajmë në frigorifer.

Këtë recetë të thjeshtë mund ta provoni krejt lehtë në shtëpi. Por siç tashmë na tërheq edhe kureshtia e recetës misterioze e të fshehtë, përgatitur me mjeshtëri siç na tregon Elezi, ky reçel duhet provuar me të vërtetë patjetër.

Ndërkohë për specialitete të tjera të veçanta reçeli spikasin edhe ai i fikut me shafran, reçeli i dardhës me spec djegës apo edhe reçeli i qepës./AgroWeb.org   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.